Maqedoni

Kuvendi i përgjithshëm i BNjVL-së kërkon decentralizim të pushtetit lokal

04.12.2023 15:15

Udhëheqësit e Bashkësisë të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale me ngulm kërkojnë që së paku 10 për qind të mjeteve nga TVSh-ja...

Udhëheqësit e Bashkësisë të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale me ngulm kërkojnë që së paku 10 për qind të mjeteve nga TVSh-ja dhe 50 për qind e tatimit mbi të ardhurat personale, të kalojnë tek pushteti lokal, si dhe bllok-dotacionet për arsim të rriten për 30 për qind, që këtë vit nuk ishin rritur, por përkundrazi janë ulur dhe kjo i vendos komunat në një situatë shumë të vështirë. Sipas BNjVL-së, pushteti qendror nuk po tregon gatishmëri për të njëjtit dhe ka mbyllur dyert dhe veshët për t’i dëgjuar.  
 
“Do të flas edhe për mospasjen e gatishmërisë nga ana e Qeverisë ndaj komunave, që më së miri ilustrohet me atë që nuk kemi asnjë përgjigje, e ku më nënshkrim të memorandumin për bashkëpunim që e kishim hartuar kohë më parë. Më së shumti do të ndalemi në përpjekjet tona në sigurimin e një pavarësie më të lartë të decentralizimit dhe tejkalimin e dallimeve në mes administratave në nivel qendror dhe atij lokal, për shkak së cilës komunat po ballafaqohen me probleme financiare. Por, një problem thelbësor është edhe formula e re e bllok-dotacioneve për arsim që e konstatoi MASh-i, por këtë e konfirmoi edhe kërkesa e UNICEF-it.”, - theksoi kryetari i BNjVL-së, Orce Gjorgjievski.
 
Edhe nënkryetari i kësaj bashkësie, Visar Ganiu, theksoi se RMV-ja akoma mbetet ndër shtetet më të centralizuara në Evropë dhe sipas tij, ky centralizim po i vështirëson shërbimet ndaj qytetarëve. 
 
“Do të flasim për punën e decentralizimit, ju e dini se RMV-ja ka mbetur akoma në fazën e parë dhe mund të themi që jemi pas Qipros, shteti i dytë më i centralizuar në Evropë dhe ai është problem në vete, sepse halli i parë i qytetarëve është dera e komunës, ndërsa nga ana tjetër ne nuk mund të japim asi shërbime sepse i kemi duart e lidhura. Nuk ka gatishmëri dhe sens për të na dëgjuar se me të vërtetë shërbimet të cilat i kërkojnë qytetarët nuk mund t’ua kthejmë, sepse kompetencat janë krejt diku tjetër.”, - deklaroi nënkryetari i BNjVL-së, Visar Ganiu.
 
Sipas BNjVL-së, nëse nuk ndihmohen komunat nga pushteti qendror, atëherë të njëjtat do të jenë të detyruara që t’i ndërpresin shumë shërbime ndaj qytetarëve siç është sistemi i zjarrfikësve. Me ribalansin e ri, për këtë problematikë komunave i janë ndarë 60 milion denarë, kurse për përmirësimin e shërbimeve administrative BNjVL-ja ka siguruar 50 milion denarë borxh nga Banka Botërore dhe 55 milion euro nga Banka Evropiane për Zhvillim. Po ashtu, një ndër synimet e BNjVL-së mbetet vendosja e Policisë Komunale për të cilën pëlqim duhet të japin ministritë përkatëse.   
 
FITIM KRYEZIU