Botë

Gaza, Izraeli zgjeron ofensivën tokësore, Hamas: Izraeli nuk po ia del të na shkatërrojë

04.12.2023 15:30

Ushtria izraelite vazhdon ofensivën tokësore ushtarake në të gjithë territorin e Rripit të Gazës...

Ushtria izraelite vazhdon ofensivën tokësore ushtarake në të gjithë territorin e Rripit të Gazës. Luftime të ashpra po zhvillohen në qytetin jugor Khan Jounis. Sipas ushtrisë izraelite, gjatë natës janë goditur rreth 200 lokacione, ndërsa në një objekt shkollor janë zbuluar tunele, të cilat janë shfrytëzuar nga Hamasi.
 
“Ushtria izraelite e vazhdon dhe zgjeron ofensivën tokësore në çdo pjesë të Gazës ku gravitojnë qendrat e Hamasit.”, - deklaroi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari.
 
Por, Hamasi thotë se Izraeli, me gjithë sulmet e shumta, nuk po ia del të mposhtë mbrojtjen në Gaza. 
 
“Izraeli nuk po ia del ta shkatërrojë mbrojtjen tonë, madje edhe nëse i kalon kufijtë jugorë, mbrojtja nuk do të jetë më e vogël se sa në lindje.”,- theksoi përfaqësuesi i Hamasit, Osama Hamdan.
 
Irani: Konflikti mund të zgjerohet
 
Autoritetet iraniane paralajmërojnë rrezikun e mundshëm të zgjerimit të konfliktit nëse luftimet në Gaza vazhdojnë.  
     
“Zgjerimi i luftës në rajon absolutisht është i mundur. Janë paralajmëruar të gjitha palët që dëshirojnë ta ndezin luftën, që të ndërpresin me vrasjet para se të jetë shumë vonë.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Iranit, Hosein Amirabdolahian.
 
Një delegacion amerikan po qëndron në Tel Aviv, për të diskutuar rreth ndërprerjes së konfliktit, derisa Katari mbetet i angazhuar për arritjen e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Po ashtu vazhdojnë edhe sulmet e Hezbollahut dhe kundërpërgjigjet e Izraelit nga Libani. OKB-ja vlerëson se 1,8 milionë banorë të Gazës janë zhvendosur, derisa bombat në jug të Rripit të Gazës bien çdo 10 minuta. 
 
Mëngjesin e së hënës u lëshua urdhër për banorët e Gazës për t’u evakuuar nga rreth 20 zona në Rripin qendror të Gazës. Shqetësimi ndërkombëtar u thellua lidhur me numrin në rritje të viktimave civile. Njoftohet se një spital në qytetin jugor të Khan Jounis është i mbingarkuar me viktima. Ndërkohë mediat palestineze dhe izraelite kanë raportuar edhe për bastisje nga forcat izraelite dhe përleshje në Bregun Perëndimor, ku njoftohet se dy persona janë vrarë.
 
FITORE DEMOLLI