Ekonomi
Kuvend, nisi debati për propozim-buxhetin për vitin 2024
04.12.2023 16:12
Në Parlament ka filluar debati 10-ditor për propozim-buxhetin për vitin 2024.....

Në Parlament ka filluar debati 10-ditor për propozim-buxhetin për vitin 2024. Partia opozitare dhe koalicioni për Rindërtim të Maqedonisë kanë dorëzuar 250 amendamente për iniciativë në qendër qytetare dhe jo partinë dhe bizneset, thonë nga VMRO-ja. Deputeti, Bojan Stojanovski, thotë se ky propozim-buxhet është jo real, i paqëndrueshëm dhe me borxh publik prej 63,2 për qind. Opozita akuzon pushtetin për mjete buxhetore shtesë të dedikuara për punësime të përkohshme e që do t’i shërbenin pushtetit.
“Para nesh është buxheti i vitit 2024 më i larti në histori, jo zhvillimor, jo real, pa koncept dhe i vendosur në baza të paqëndrueshme, i formuar pa strategji që ka të bëjë me zhvillim real të ekonomisë. Ky buxhet do të sjell borxh prej 63,2 për qind të BPV-së. Keni konceptuar buxhet që pa asnjë harxhim do të jetë gjysmë miliard euro minus dhe ka harxhime për çdo vit të paparapara. Deficiti çdoherë del me i madh se që e parashikoni në çdo buxhet. Janë rritur mjete për punësime të përkohshme.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Deputetja nga radhët e LSDM-së, Marija Georgievska, thotë se ky është buxheti më zhvillimor dhe më i larti që ka pasur ndonjëherë Maqedonia.
“Për vitin 2024 kemi rritje ekonomike të përshpejtuar, rritje të konsumit dhe investime bruto të projekteve infrastrukturore dhe investime kapitale. Rimëkëmbja ekonomike do të jetë në zinxhirin e prodhimit. Deficiti buxhetor është rritur marrë parasysh dhe borxhet që kemi trashëguar nga e kaluara e VMRO-DPMNE-së. Në buxhet janë paraparë rritje të pagave, mjete për kategoritë e rrezikuara dhe krijimin e vendeve të reja të punës.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Marija Georgievska.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, thotë se buxheti për vitin 2024 është planifikuar në rrethana krizash ndërkombëtare. Bartës i rritjes ekonomike do të jetë nëpërmjet investimeve kapitale dhe sektori i biznesit.
“Projeksionet makroekonomike për vitin 2024 parashihen rritje ekonomike prej 3,4 për qind ku kontribut pritet të kenë investimet bruto me rritje prej 8,4 për qind si rezultat i intensifikimit të zbatimit të projekteve të mëdha infrastrukturore të financuara nga shteti, si Korridori 8 dhe 10, infrastruktura rrugore hekurudhore dhe projektet në fushën e energjetikës. Në vitin 2024 pritet rritje e numrit të të punësuarve në 2 për qind që do të sjell numër më të vogël të të papunësuarve dhe rritja e pagës mesatare neto parashihet në 8,4 për qind në baza nominale dhe 4,8 për qind në baza reale. Qëllimet kryesore janë sigurimi i kushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike, vazhdimi i konsolidimit fiskal, përforcimi i qëndrueshmërisë fiskale.”, - u shpreh ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Gjatë vitit 2024 parashihet përmirësimi i menaxhimit të financave publike, përforcim i buxhetimit afatmesëm, projektim i politikës buxhetore dhe aktiviteteve fiskale që kanë për qëllim përkrahjen e stabilitetit makroekonomik, përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe përforcimin e potencialit të rritjes së ekonomisë së brendshme, thotë ministri, Besimi.
GAZMEND REXHEPI
