Maqedoni
Bexheti: përfaqësimi i shqiptarëve ishte prioritet
20.03.2015 15:34
Prokuroria publike është organ më vete, por nuk është organ i pavarur...

Kështu ka deklaruar për DW-në ish-prokurori publik, Lupço Shvrgovski, pas publikimit të bisedave të fundit telefonike nga ana e LSDM-së, që, sipas tyre, dëshmojnë emërimet politike dhe ndërhyrjen e politikës në gjyqësor.
Shvrgovski, nuk mohon bisedën në të cilën kërkon nga Jankullovska të intervenon te ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, që djali i kryetares së Gjykatës së Apelit, Ljupka Arsenievskës, të emërohet prokuror. Ai shprehet se bashkëpunimi mes prokurorisë me qeverinë është plotësisht legjitim.
“Opinioni nuk ka njohuri për pozitën kushtetuese të prokurorisë. Prokuroria publike është organ më vete, por jo edhe i pavarur. Qeveria e jep propozimin për prokuror publik, ndërsa e emëron dhe e shkarkon parlamenti. Ne jemi pjesë e shpërndarë e pushtetit ekzekutiv. Në atë aspekt bashkëpunimi mes prokurorisë dhe pushtetit ekzekutiv është legjitim”-ka theksuar Shvrgovski.
Ndërkohë, ish-ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, thotë se nuk mban mend bisedat e tij me Jankullovskën dhe Xhaferin, pasi janë realizuar para tre vitesh, por siguron që të gjitha përpjekjet e tij dhe të partisë kanë pasur për qëllim rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në sektorin e gjyqësisë.
“Jemi angazhuar përherë për respektimin e parimeve kushtetuese për përfaqësim të drejtë të shqiptarëve dhe në këtë proces është shënuar një përparim i rëndësishëm, edhe pse nuk jemi të kënaqur nga çka është arritur. Në gjyqësor përfaqësimi ishte nga 16 deri në 18 për qind. Tani është më e ulët dhe ndryshon varësisht nga numri i pensionimeve dhe proceseve të tjera”- ka thënë Bexheti për DW-në.
SANIJE KASAMI
