Maqedoni
Prerja e pishave në komunën e Zhelinës, Sejdiu: Nuk do të lejoj, ka shkelje të kontratës
04.12.2023 16:50
Prerja e drunjve pisha në komunën e Zhelinës, me leje nga pyjet shtetërore të Maqedonisë...

Prerja e drunjve pisha në komunën e Zhelinës, me leje nga pyjet shtetërore të Maqedonisë është e papranueshme për kreun e komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu. Sipas tij, komuna e Zhelinës nuk do të lejojë prerjen e pishave, të cilat sipas Sejdiut po masakrohen pa mëshirë. Ai dyshon se ka shkelje të kontratës, që sipas Sejdiut po priten drunjtë pisha më të mirë. Deri sa të qartësohet rasti, komuna e Zhelinës ka ndaluar prerjen e pishave.
“Ne shohim se janë prerë drunjtë më të mirë, më të shëndoshë dhe drunjtë të cilët nuk duhet të priten. Dhe për këtë arsye, ne si komunë, si autoritet, nuk do të lejojmë edhe më tej të priten drunjtë pa marrë parasysh që ka tender ose jo ose pa marrë parasysh se kush e ka dhënë lejen. Dyshohet që në bazë të asaj që kemi konstatuar nga terreni ka shkelje të kontratës dhe për këtë nuk do të tolerojmë aspak edhe më tej të priten këta drunj. Ne kemi ndaluar punimet, kemi ndërprerë punimet deri sa të konstatohet gjendja se a është e vërtetë, ashtu siç konstaton a jo.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.
Ka reaguar me një komunikatë me shkrim zëvendësdrejtori i Pyjeve të Maqedonisë, Safet Miftari, i cili ka theksuar se firma që ka fituar tenderin është duke respektuar kontratën dhe nëse ka shkelje është policia pyjore dhe inspektorati e jo kreu i komunës së Zhelinës, që sipas Sejdiut duhet angazhohet të paguajë borxhin që ka ndaj ndërmarrjes Pyjet e Maqedonisë.
“Firma që ka fituar tenderin për prerje të drunjve është duke respektuar të gjitha normat, e në rast të shkeljes së tyre, gjithsesi se inspektorati dhe policia pyjore do të marrin masat e rrepta të duhura. Andaj kërkojmë nga kryetari i komunës së Zhelinës që këto punë që janë të inspektoratit, t`ia le inspektoratit dhe ligjit apo policisë pyjore. Në vend që të merret me punët e Pyjeve Nacionale, rekomandoj kryetarin Sejdiu, që të paguajë borxhin që e ka ndaj ndërmarrjes sonë.”, thuhet në komunikatën me shkrim nga zëvendësdrejtori, Safet Miftari.
Ndërkohë nga komuna e Zhelinës njoftuan se do të iniciojmë procedura në të gjitha institucionet kompetente, do të përfshijmë eksperte ligjore që do të konstatojnë veprim marrjen ligjore ose jo, të këtij dëmi të madh që i bëhet natyrës.
VISAR SADIKI
