Maqedoni
Shekerinska: prokuroria është vetëm dorë e zgjatur e pushtetit
20.03.2015 15:36
Zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, ka reaguar pas deklaratës së ish-prokurorit publik, Lupço Shvrgovskit...

Zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, ka reaguar pas deklaratës së ish-prokurorit publik, Lupço Shvrgovskit, se prokuroria është organ më vete, por jo i pavarur, duke vlerësuar se kjo deklaratë konfirmon dy gjëra, se bisedat telefonike që prezanton LSDM-ja janë autentike dhe nuk janë të montuara, siç pretendon pushteti, si dhe se konfirmon tezat e opozitës lidhur me atë se si pushteti sheh sistemin gjyqësor dhe prokurorinë në vend.
“Me deklaratën e tij vërtetohet se për qeverinë dhe njerëzit e afërt të tyre prokuroria ka qenë vetëm një dorë e zgjatur e pushtetit ekzekutiv, as që ka qenë e pavarur. Kjo është shkelje e parimeve themelore kushtetuese, kjo tregon qartë pse gjatë gjithë këtyre viteve të kaluara asnjëherë Prokuroria Publike nuk mori guximin që të ngrejë padi penale për cilindo nga njerëzit kryesor të pushtetit, qoftë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, apo për krim ose për korrupsion. Mendoj se deklarata e Shvrgovskit demanton Gruevskin dhe ata rreth tij në të gjitha gënjeshtrat që po i shpërndajnë këtyre ditëve. Bisedat telefonike janë autentike dhe prokuroria tërë kohën ka funksionuar nën diktatin e drejtpërdrejtë politik”- tha zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska.
Edhe pse LSDM-ja opozitare disa herë ka ripërsëritur se nuk beson në pavarësinë dhe objektivitetin e sistemit gjyqësor, nga kjo parti kanë dorëzuar 21 padi penale për më shumë se 17 persona të dyshuar për vepra penale gjatë procesit zgjedhor.
Zëvendëskryetarja, Radmilla Shekerinska, tha se dorëzimin e padive penale e bëjnë vetëm që të dëshmojnë se ata respektojnë kushtetutën dhe ligjet.
SANIJE KASAMI
