Maqedoni
Komuna e Çairit, aktivitete ekologjike në “Ditën e pranverës”
20.03.2015 16:41
Komuna e Çairit me aktivitete ekologjike shënoi “Ditën e pranverës”...

Aktivitet ekologjike u realizuan në të gjitha kopshtet dhe shkollat fillore të kësaj komune.
“Komuna e Çairit e shënon këtë “Ditë të pranverës”, bën pastrimin e të gjitha mbeturinave që kanë ekzistuar gjatë sezonit të dimrit”- deklaroi përfaqësuesi i Komunës së Çairit, Nuhi Dardhishta.
Fëmijët e Kopshtit “Fidani” të objektit “Pjetër Pani”, me transparentë, me porosi ekologjike dërguan mesazhe se si duhet ta mbrojmë mjedisin jetësor dhe së bashku me edukatoret mbollën fidanë dhe lule.
“Në 5 objektet që ka Kopshti “Fidani” janë organizuar pastrime të kopshteve. Është organizuar një patrollë e fëmijëve të grupmoshës 4 dhe 5 vjeçare nëpër lagje të Komunës së Çairit, ku janë shpërndarë porosi se si të mbahet ambienti i pastër”- deklaroi drejtoresha e Kopshti “Fidani”, Rabije Loku.
Edhe në Shkollën Fillore “Imri Elezi” dhe Shkollën “Tefejyz” nxënësit dhe arsimtarët bashkërisht ndërmorën aktivitetet për pastrimin e oborrit të shkollave, mbjelljen e fidanëve, ndërtimin e këndeve edukative lidhur me ekologjinë dhe stinën e Pranverës.
“Gjithë këto aktivitete që u bënë u bënë me një atmosferë shumë të mirë, pasi edhe gjatë gjithë kohës i kënduan këngët që i janë dedikuar ekologjisë”- tha drejtoresha në Sh.F. “Imri Elezi”, Merita Koçi-Koçagjiku.
Me këtë rast u promovuan edhe ushqime të shëndetshme, ndërsa me këngë dhe lojëra nxënësit iu gëzuan stinës së Pranverës.
Për realizimin e këtyre aktiviteteve kanë ndihmuar edhe “Higjiena komunale” dhe Ndërmarrja “Parku dhe gjelbërimi”.
GYLTENE SINANI
