Maqedoni
Autopsia ka përfunduar, trupi i Vanjës i është dorëzuar familjes
05.12.2023 14:27
Autopsia e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, trupi i pajetë i së cilës u gjet të dielën, ka përfunduar, konfirmoi Prokuroria Publike...

Autopsia e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, trupi i pajetë i së cilës u gjet të dielën, ka përfunduar, konfirmoi Prokuroria Publike. Gjetjet duhet të tregojnë se kur ndodhi vdekja e vajzës së re dhe si u vra. Për këtë rast janë në paraburgim katër persona, mes tyre edhe babai i Vanjës, i cili dyshohet se ka dhënë informacion se kur vajza do të shkojë në shkollë mëngjesin e 27 nëntorit. Nga ana tjetër tre të tjerët kanë pranuar krimet dhe kanë dërguar policinë në vendin e vrasjes. Organizatori dhe ekzekutori kryesor i vrasjeve, sipas hetimeve, është personazh kontrovers publik, i njohur si lideri i partisë “E Djathta”, Ljupço Palevski Palço, i cili është në arrati dhe për të është lëshuar fletë-arrest ndërkombëtar.
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja kërkojnë dorëheqje nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Sipas tyre vrasja ka ndodhur për shkak të lëshimeve që ka bërë MPB-ja gjatë hetimeve.
“Dyshimi se i dyshuari i parë dhe pjesa tjetër e ndihmësve kanë pasur informatorë në Polici, përkatësisht dikush i ka paralajmëruar vazhdimisht, është edhe më i fortë sepse arratisja e të dyshuarit të parë nga vendi ka ndodhur pak ditë pas vrasjes së dytë. Kështu ai po ecte lirshëm, sepse e dinte se nuk kërcënohej nga hetimet, kështu që pasi u paralajmërua në kohë, u arratis përtej kufirit. Lëshimet, joprofesionalizmi dhe korrupsioni për shkak të të cilit humbin viktimat njerëzore duhet të pasohen me marrjen e përgjegjësisë dhe dorëheqjen e Spasovskit nga MPB-ja.”, - deklaroi Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE-ja.
Me këtë nuk pajtohen nga LSDM-ja duke thënë se organet shtetërore në mënyrë të shpejtë dhe efikase kanë zbuluar autorët e krimit.
“Në kuadër të kompetencave të tyre ligjore, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike ndërmorën veprimet e duhura, intensive në kohë dhe gjetën autorët e krimit të rëndë, vrasjeve monstruoze të 14-vjeçares, Vanja dhe 74-vjeçarit, Pançe. Presim që në kohën më të shkurtër të mundshme që të gjithë autorët dhe të përfshirët të dalin para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi për krimin.”, theksojnë nga LSDM-ja.
Ky rast përveç që tronditi opinion, shkaktoi edhe panik për sigurinë e fëmijëve nëpër shkolla, por ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jovana Trençevska, thotë se fëmijët janë të sigurt dhe nuk ka nevojë për panik. Sipas saj, vrasja e Vanja Gjorçevskës është rast i izoluar.
“Edhe ministri Spasovski dhe prokurori Bubevski dje thanë se është rast i izoluar. Nuk duhet të krijojmë panik tek qytetarët se fëmijët nuk janë të sigurt për ne. Fëmijët janë të sigurt, por epoka e re krijon sfida të reja dhe zhvillimi i teknologjisë IT dhe rrjeteve sociale, në vend që të përmirësojë informimin te qytetarët, përmes lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes krijojnë probleme me shëndetin mendor te një pjesë e madhe e njerëzve. Dua t’i siguroj njerëzit se fëmijët dhe shkollat janë të sigurta.”, - theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska.
Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi-portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së. Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar. Të premten mbrëma u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjeti ka lidhje me zhdukjen e Vanjës.
ERSAN PAJAZITI
