Izraeli ka nisur fazë të re në luftën kundër Hamasit, operacionet kryesore kryhen në jug të Khan Junisit
Izraeli pretendon se po avancon ofensivën e tij në Rripin e Gazës...

Izraeli pretendon se po avancon ofensivën e tij në Rripin e Gazës pas intensifikimit të sulmeve drejt jugut. Këto janë sulme të sakta të bazuara në të dhënat e inteligjencës kundër qendrave të gravitetit të Hamasit, thonë nga mbrojtja e Izraelit.
“Ne kemi kryer disa mbyllje operacionale të forcave tokësore së bashku me forcat ajrore që kanë rezultuar në eliminimin e terroristëve dhe infrastrukturës terroriste. Forcat tokësore po veprojnë në terren, terroristët po dalin nga boshtet dhe tunelet, forcat ajrore po sulmojnë dhe po përparojnë.”, - deklaroi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes izraelite, Daniel Hagari.
Forcat po përparojnë edhe në veri. Një bastisje u krye në Xhabalia e rrethuar në selinë e sigurimit të Përgjithshëm të Hamasit. U gjetën depo armësh, raketash dhe informacione të shërbimit zbulues. Pompat janë duke u instaluar në tunelet e Hamasit për të përmbytur strehët e terroristëve me ujë deti.
Qindra palestinezë që dëgjuan thirrjen e Izraelit për të evakuuar mbërritën në strehimore të improvizuara në lagjen tashmë të mbipopulluar Muëasi.
"Ne vrapojmë nga një vend në tjetrin. Nuk ka kushte. Askush nuk flinte për shkak të të ftohtit. Ne mbledhim copa dru zjarri vetëm për të gatuar për fëmijët.”, - u shpreh i zhvendosuri nga Gaza, Ahmad Al Masri.
“Nuk kemi çfarë të themi përveçse “Zoti na ndihmoftë”. Kudo që të shkojmë, gjithçka që di është se kjo duhet të zgjidhet.”, - tha i zhvendosuri nga Gaza, Um Mohamed Al Assi.
OKB-ja apelon për përkeqësimin e situatës humanitare.
“Kolegët tanë për koordinimin e çështjeve humanitare kanë paralajmëruar se situata aktuale nuk i lejon ata të merren me nevojat e njerëzve në Gaza. Shpërndarja e ndihmave është e kufizuar, në zonat përreth Khan Jounisit është ndalur në masë të madhe.”, - theksoi zëdhënësi i OKB-së për sekretarin e përgjithshëm, Stefan Duzharrik.
Shtetet e Bashkuara thonë se po zhvillohen bisedime me Izraelin për karburant shtesë në Gaza. Ata vazhdojnë me përpjekjet për lirimin e të gjithë pengjeve.
“Ne mbetemi në kontakt me homologët tanë izraelitë dhe katar, si dhe me homologët tanë egjiptianë për të ushtruar presion ndaj Hamasit për këtë çështje. Aktualisht, Hamasi refuzon të lirojë gratë që ishin pjesë e marrëveshjes. Ishte ky refuzim që shkaktoi përfundimin e pauzës në armiqësi.”, - u shpreh këshilltari i Sigurisë Kombëtare i ShBA-së, Xhejk Salivan.
Tel Avivi edhe njëherë u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare në mbarë botën që të konfirmojnë sigurinë e të rrëmbyerve dhe të ndihmojnë në dërgimin e ilaçeve dhe trajtimin e nevojshëm mjekësor. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)
