Buxheti për vitin 2024, LEN-i akuzon për shkurtim të buxhetit në dikastere
Hartimi i propozim-buxhetit për vitin 2024...

Hartimi i propozim-buxhetit për vitin 2024, nga ana e Ministrisë së Financave është joreal dhe jo i realizueshëm, vlerëson opozita shqiptare, LEN.
Sipas Burim Latifit, nga opozita shqiptare ky buxhet edhe pse është më i larti ndonjëherë në vendin tonë, ka shkurtuar mjetet për disa ministri shumë të rëndësishme, ndërsa për dallim kanë shënuar rritje tek Lotaria Shtetërore.
Sipas opozitës shqiptare, masat anti-krizë dhe vet korniza e saj kohe e realizimit deri në muajin maj kur duhet të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare, tregon se kjo Qeveri ka për qëllim që me paratë e popullit t’u jap lëmoshë studentëve e pensionistëve duke u dhënë nga 1,000 apo 2,000 denarë, vetëm sa për ta fituar besimin e tyre, sepse sipas Latifit, kjo Qeveri aq e vlerëson dinjitetin njerëzor.
“Sa i përket Buxhetit të paralajmëruar, i cili do të jetë më i madhi dhe më i fryri ndonjëherë, e që është joreal, i parealizueshëm dhe tërësisht elektoral çuditërisht si për ironi shkurtohen mjetet për rini dhe sport në kohën kur rinia po ikën në mënyrë masovike nga vendi jonë, shkurtohet buxheti i MAJPH-së edhe pse jemi ndër vendet më të ndotura në botë. Shkurtohen mjetet nga Agjencia për zbatimin e gjuhëve, institucion nga i cili pritet implementimi i gjuhës shqipe, zvogëlohen mjetet e Ministrisë së Drejtësisë kur besimi i qytetarëve në gjyqësorin është vetëm 3 për qind. Zvogëlohen mjetet e MVQL-së, institucion ky nga i cili varet decentralizimi dhe fuqizimi i komunave shqiptare, e kur bëhet fjalë për buxhetin e lotarisë së Maqedonisë mund ta paramendoni rritja s’ka fund.”, - deklaroi Burim Latifi nga LEN-i.
Latifi, po ashtu theksoi se sa për ilustrim një funksionar i kësaj Qeverie sa fiton për 4 vite, aq një profesor universitar apo mësues i ndershëm duhet të punojë 24 vite. Sipas tyre qytetarët, sektori privat, studentët, pensionistët nuk kanë nevojë për lëmoshën e tyre, por për zgjidhje adekuate.
Nga opozita shqiptare, po ashtu informuan se kur propozim-buxheti për vitin 2024 do të gjendet në Kuvend, do të intervenojnë me së paku 50 amendamente, me qëllim që të përmirësohen këto padrejtësi në këtë buxhet dhe se këto vendime të dëmshme, sipas këtyre të fundit, janë të fundit që po i sjellë kjo Qeveri, sepse ditët i kanë të numëruara. (Fitim Kryeziu, TVM2)
