Maqedoni
Myftenia e Tetovës, Nesimi: Shkarkimi im është joligjor
05.12.2023 15:29
Shkarkimi im si myfti i Myftenisë së Tetovës, është antiligjor dhe kundër Kushtetutës së BFI-së...

Shkarkimi im si myfti i Myftenisë së Tetovës, është antiligjor dhe kundër Kushtetutës së BFI-së, kështu ka deklaruar sot në një press konferencë, Qani Nesimi. Ai akuzoi kreun e BFI-së se ka shkelur Kushtetutën e BFI-së dhe pa të drejtë është shkarkuar dhe ka vendosur një ushtrues detyre në myfteninë e Tetovës. Nesimi më tej shtoi se nga myftinia e Tetovës mund ta largojnë vetëm këshillat e xhamive, imamët e tyre e jo kreu i BFI-së. Ai kërkoi nga BFI-ja të tërheqë vendimin për shkarkimin e tij dhe të shkojë në zgjedhje demokratike në të gjitha myftinitë e vendit, përfshirë këtu edhe për të parin e BFI-së.
“Zbato normativat dhe Kushtetutën e BFI-së. Tërhiqi vendimet antikushtetuese për shkarkimin e myftiut aktual dhe vendimin antikushtetues, duke emëruar ushtrues detyre myfti të dhunshëm në Tetovë. Shko në zgjedhje për myfti në të gjitha myftinitë e vendit në mënyrë demokratike. Shko në zgjedhje të përgjithshme nga këshillat e xhamive dhe deri tek Reis Ulemaja. Liroje BFI-në nga pengmarrja me kërcënime policore dhe mos e mbaj të bllokuar.”, - deklaroi Qani Nesimi nga Myftenia e Tetovës.
Por, nga BFI-ja ditë më parë thanë se Qani Nesimi vazhdon të mbajë pozitën me dhunë dhe me grupe të armatosura.
“Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, si organ më i lartë vendimmarrës, informon opinionin se më datë 08.11.2023, Rijaseti i BFI-së së RMV-së me vendim unanim vendosi të shkarkojë Qani Nesimin nga pozita e myftiut të Myftenisë së BFI-së së Tetovës. I njëjti vazhdon që në mënyrë të dhunshme dhe me grupe të armatosura ta mbajë të uzurpuar institucionin e Myftenisë së Tetovës.”, thuhet në komunikatën e BFI-së.
Ndërkaq i pyetur sot nga gazetarët, myftiu i Tetovës, Nesimi, tha se nuk është e vërtetë, por ata duan që me polici dhe në mënyrë të dhunshme ta marrin Myftininë e Tetovës.
“Ata që thonë se policia ka njerëz të armatosur dhe e mbajnë peng, ata janë që mundësojnë të vijë policia në Myfteninë e Tetovës, për të realizuar dëshirat e Shaqirit dhe UD myftisë.”, - theksoi Qani Nesimi nga Myftenia e Tetovës.
Përndryshe, më 8 nëntor Rijaseti i BFI-së shkarkoi nga detyra myftiun e Tetovës dhe të Strugës.
VISAR SADIKI
