Maqedoni

Ahmeti takon ambasadorin bullgar, Petkov, kërkon mbështetjen bullgare për integrimet

20.03.2015 16:42

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka pritur në selinë e partisë në Tetovë ambasadorin e Bulgarisë në Maqedoni, Ivan Petkov...

Në takim u diskutua rreth situatës aktuale politike, si dhe nevojës për thellim të bashkëpunimit midis dy vendeve, integrimit euroatlantik të Maqedonisë, si dhe aferën aktuale me përgjimet masive në Maqedoni.
 
Ambasadori bullgar ka shprehur qëndrimin e vendit të tij se Sofja mbështet integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE, duke theksuar gjithashtu nevojën për zhvillim të marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe të nënshkrimit të marrëveshjes bilaterale midis Shkupit dhe Sofjes.
 
Ahmeti ka shprehur përkrahje të plotë për nënshkrimin e marrëveshjes për fqinjësi të mirë midis Maqedonisë dhe Bulgarisë, si dhe kërkoi që ky proces të përfundojë sa më shpejtë, pa vonesa të panevojshme. 
 
Kryetari i BDI-së, Ahmeti, gjithashtu theksoi nevojën për përkrahjen e Sofjes në Bruksel për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE, por kërkoi edhe konstruktivitet nga Bullgaria dhe vendet tjera të BE-së për kërkesën e BDI-së për angazhim të Komisionit Evropian në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.
 
Një Maqedoni stabile, e integruar drejt NATO-s dhe BE-së është interes i të gjithë fqinjëve dhe i të gjithë rajonit, por edhe i Brukselit, andaj dhe Komisioni Evropian nuk duhet të vonojë në delegimin e ekipit politik, të përkrahur nga ekspertë ligjorë dhe të hetuesisë, për ta përkrahur zbardhjen e aferës së përgjimeve masive në Maqedoni.