Akademia e Shkencave, e shqetësuar nga thellimi i krizës politike
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me thellimin e krizës politike...

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me thellimin e krizës politike, e cila, siç thuhet, kërcënon të ringjallë ndasitë historike të së kaluarës dhe të rrezikojë vlerat dhe interesat themelore të shoqërisë maqedonase. Sipas ASHAM-së, është detyrim dhe përgjegjësi e faktorëve politikë dhe të tjerëve që qëndrimet dhe përcaktimet e tyre t’i artikulojnë nëpërmjet dialogut dhe në bashkëpunim me institucionet përkatëse evropiane dhe ndërkombëtare.
“Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit, partneritetit para-aderues dhe hapjes së dialogut politik në nivel të lartë, Maqedonia është e obliguar që të bashkëpunojë me institucionet evropiane për çështjet themelore të zhvillimit demokratik, demokracisë parlamentare dhe sundimit të së drejtës dhe të lirive dhe të drejtave të njeriut”- thuhet në deklaratën e ASHAM-it.
Po ashtu, Akademia e Shkencave vlerëson se Maqedonisë do t’i ndihmohej shumë sikur Komisioni Evropian dhe institucionet e tjera evropiane do t’i përshpejtonin proceset e integrimit euroatlantik, me çka do të hapeshin negociatat për anëtarësim në BE dhe do të mundësohej hyrja në NATO.
