Maqedoni

Shkolla Fillore “Pestaloci”, qytetarët nënshkruhen në librin e zisë

05.12.2023 16:22

Heshtja flet zëshëm në shkollën “Johan Henrich Pestaloci”, ku 14-vjeçarja Vanja...

Heshtja flet zëshëm në shkollën “Johan Henrich Pestaloci”, ku 14-vjeçarja Vanja kalonte pjesën më të madhe të ditës me shokët e klasës. Po kërkohen përgjigje dhe ngushëllim për aktin brutal që e ka shuar një jetë të re. Nuk ka ngushëllim as  për familjen, as për shokët e klasës, e as për qytetarët që kanë ardhur për t’u nënshkruar në librin e zisë. Për të ndezur një qiri, për të vendosur lule ku shfaqet fotografia e Vanjas, për të kujtuar se sa shumë jetë kishte në të dhe përmes çfarë akti monstruoz iu mohuan të gjitha kënaqësitë që duhet të gëzonte një e re. Prindërit nga kjo shkollë kërkojnë përgjegjësinë për vrasjen e vajzës adoleshente.
 
“E di se si ndjehet ajo nënë se askush nuk mundet t’ua kuptojë dhimbjen që e përjeton. Unë mendoj se ligjet duhet të ndryshohen në këtë shtet, mendoj se duhet të ketë dënim me vdekje për kryesit e kësaj vepre dhe se duhet kryesit të përgjigjen para organeve të rendit.”, - u shpreh një prinde.
 
MASh: Kemi staf shtesë të psikologëve e pedagogëve
 
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thuhet se në dispozicion të nxënësve do të vihet staf shtesë i psikologëve dhe pedagogëve, në mënyrë që ta kalojnë më lehtë periudhën aktuale.
 
“Shkolla mbetet e organizuar mirë, duke ofruar mbështetje të përgjithshme psikologjike për të gjithë nxënësit në shkollë, me qëllim ruajtjen e shëndetit mendor dhe përballimin e pasojave traumatike nga kjo situatë.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
 
Edhe sot libri i zisë qëndroi në shkollë, për të gjithë qytetarët që shkruan diçka, shprehën revoltën, trishtimin, mllefin, dëshpërimin. Adoleshentja  Vanja, pas një kërkimi shtatëditor, u gjet e vrarë në atarin e fshatit Brazdë.
 
FLUTURA LATIFI