Ekonomi
OEVMP-ja prezanton kompanitë më të suksesshme
05.12.2023 16:39
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore ka prezantuar për të 14-in vit me radhë kompanitë më të suksesshme...

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore ka prezantuar për të 14-in vit me radhë kompanitë më të suksesshme. Nga OEMVP-ja thonë se edhe për shkak të krizave të njëpasnjëshme sektori i biznesit ka bërë të pamundurën për të mbajtur gjallë ekonominë e vendit duke gjeneruar neto fitim prej 100 milion eurove në vit dhe duke punësuar afër 10 mijë persona. Kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra, thotë se bizneset po zyrtarizohen dhe bëhen tatimpagues të rregullt duke ulur nivelin e ekonomisë gri.
“Kjo traditë po vazhdon dhe ne po hapërojmë drejt suksesit. Për çdo vit tregojmë rezultate dhe se si ato kompani punojnë me ndershmëri dhe janë tatimpagues dhe hisedar në çdo aspekt të shoqërisë sonë. Një pjesë që ka ndikuar në pjesën e neto fitimit është se kompanitë largohen nga ekonomia gri dhe futen në pjesën zyrtare dhe këtu automatikisht bëhen pagesat dhe dalin shifrat që patë, por jo vetëm edhe stabiliteti i kompanive ku për drejt krizave ato rriten, edhe përmirësimi pjesërisht i kushteve edhe përvoja e kompanive.”, - deklaroi kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra.
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike thotë se biznesi po qëndron stoik dhe për kundër krizave, njëkohësisht informon se kompanitë po vazhdojnë të paguajnë tatimin solidar.
“Këto 100 top kompani dhe rritja e tyre që e bëjnë ndër vite dëshmon se afiniteti i tyre ndërmarrës dhe fuqia e tyre e marrjes së riskut ka sjell që ato ndër vite të rriten. Disa mes këtyre 100 kompanive janë kompani që janë të prekura me tatimin solidar sipas informatave janë vetëm dy kompani që akoma nuk kanë paguar dhe deri në fund të kësaj jave do të shlyejnë obligimin ligjor.”, - u shpreh zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike thotë se në propozim buxhetin për vitin 2024 nuk janë rritur shpenzimet për inventarë dhe shpenzimet për institucionet sa i përket udhëtimeve zyrtare dhe për blerje të automobilave. Bytyqi thotë se për vitin 2024 rëndësi në buxhet i është dhënë qytetarëve me masat anti-krizë, rritjen e pagave dhe pensioneve.
GAZMEND REXHEPI
