Këshilli i BE-së: Kosova të bëjë më tepër për heqjen e masave

05.12.2023 17:08

Kosova duhet të bëjë më tepër....

Kosova duhet të bëjë më tepër për heqjen e masave, ndërsa detyrimet e Kosovës nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe aneksi i zbatimit, do të përfshihen në rrugëtimin e saj evropian, thuhet në draftin e konkluzave nga takimi ministror.

Këshilli i ministrave i Bashkimit Evropian, në takimin e 12 dhjetorit, do të kërkojë nga përfaqësuesi i veçantë për dialog, Miroslav Lajçak, që të përditësojë agjendën e Grupit të ardhshëm Special të Kosovës për Normalizimin, për të pasqyruar detyrimet e Kosovës që rrjedhin nga këto marrëveshje.

Këto konkluza javën e ardhshme do t’i konfirmojnë edhe liderët e shteteve anëtare të BE-së. “Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve, duke kuptuar se duhet të punohet më tej mbi këtë bazë.”, thuhet në dokumentin, që pritet te miratohet javën e ardhshme.

Në draftin e këtyre konkluzave nënvizohet se pritet që Kosova të angazhohet në dialog në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme me Serbinë.

Hapësirë e veçantë në konkluza i kushtohet situatës së sigurisë në veri.

Këshilli rithekson se nuk ka arsyetim për dhunën dhe dënon fuqishëm sulmin e dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023.

Nga Kosova dhe Serbia kërkohet që të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për de-përshkallëzimin, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe të ndalojnë retorikën përçarëse. (Gyltene Sinani, TVM2)