Maqedoni
MASH: matematika, lëndë e obligueshme e maturës
20.03.2015 16:46
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, sot sërish përsëriti qëndrimin e MASH-it se matematika do të jetë lëndë e obligueshme në kuadër të maturës shtetërore...

Kjo risi është paralajmëruar para dy vitesh dhe do të informojë opinionin për përparësitë e maturës shtetërore.
Në pyetjen se a do të tërhiqet ministria nga ky vendim, Ademi dha këtë përgjigje:
“Sigurisht se do të fillojë debati dhe informimi. Nuk dua sot të them se tërhiqem apo nuk tërhiqem, sepse nuk bëhet fjalë për vendim që merret kollaj dhe duhet të binden të gjithë se është në dobi të procesit arsimor”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Matematika dhe gjuha amtare në të gjitha vendet në botë është e obligueshme dhe nxënësit do t’i nënshtrohen nivelit bazë të matematikës.
“Bëhet fjalë për nivel të ulet të matematikës dhe jo të avancuar. Ata që kanë dashur nivel më të avancuar janë paraqitur, të tjerët kanë nivel bazik dhe kalueshmëri më të madhe”- tha Ademi.
Edhe Dekani i Fakultetit Teknologjiko-metalurgjik konsideron se matematika duhet të jetë lëndë e obligueshme për nxënësit.
“Matematika është bazë e të gjitha shkencave fundamentale dhe ajo na mëson se si duhet të mendojmë logjikisht dhe është e nevojshme për të gjitha sferat. Nxënësit të cilët kanë më pak orë nga matematika duhet të kenë teste të veçanta në krahasim me nxënësit që kanë 6 orë në javë”- deklaroi dekani i Fakultetit Teknologjiko-metalurgjik, Aleksandar Dimitrov.
Këto komente u bënë të ditura me rastin e fillimit të garave në Fakultetin e Metalurgjisë, në sferën e nanoteknologjisë. Gara ku do të përzgjidhet punimi më i mirë do t’i inkurajojë nxënësit e shkollave të mesme të kyçen në drejtimet teknike. Këto gara janë të financuara edhe nga MASH-i.
FLUTURA LATIFI
