Shkolla Fillore “Strasho Pinxhur” në Karbincë, dyshime për përpjeke për rrëmbim të nxënësve
Një automjet që është afruar në oborrin e shkollës “Strasho Pinxhur”....

Një automjet që është afruar në oborrin e shkollës “Strasho Pinxhur” në Karbincë të Shtipit ka ngritur frikën te nxënësit dhe personeli i shkollës me tentim rrëmbimi, pasi janë ftuar dy nxënës, një i klasës së gjashtë dhe një i klasës së nëntë për të pirë kafe.
Ngjarja është konfirmuar nga kryetari i komunës së Karbincit, Viktor Paunov, bazuar në informacionet nga personeli i shkollës dhe inspektorët në teren.
“Ka pasur përpjekje për rrëmbimin e dy fëmijëve, gjegjësisht dy nxënësve nga shkolla fillore “Strasho Pinxhur” këtu në Karbincë të Shtipit. Ajo që e di nga informacionet e para që mora nga personeli i shkollës, por edhe nga marrja në pyetje e inspektorëve është se ka pasur një përpjekje të tillë. Grabitësit kanë tentuar që ata fëmijë t’i fusin në makinën, e cila është afruar deri në fillim të oborrit shkollor. Kamerat e sigurisë e kanë regjistruar makinën dhe punohet në verifikimin e targave dhe zbardhjen e rastit.”, - deklaroi kryetari i komunës së Karbincës, Viktor Paunov.
Ai apelon deri te MPB-ja dhe SPB-ja e Shtipit që të rrisin sigurinë në këtë pjesë të komunës së Karbincit, të paktën nëpër shkolla, sepse vitet e fundit nuk ka pasur siguri policore.
MPB-Shtip: Një i ri u afrua me veturë në oborr të shkollës
Por, policia në komunikatën e saj paraqet një version tjetër për ngjarjen në fjalë. Sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Shtip, “Në ora 09:52 nga shkolla fillore e komunës së Karbincit është raportuar se rreth orës 09:30 një i ri me automjet të tipit golf është afruar te oborri i shkollës dhe sipas denoncimit ka ftuar nxënëse që të hipë në makinën e tij për të pirë kafe, por ajo është kthyer menjëherë në shkollë dhe ka njoftuar drejtoreshën.”.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme më tej thonë se po punohet në zbardhjen e tërësishme të rastit. (Sanije Duraku, TVM2)
