Maqedoni

Eklipsi i Diellit, rikthehet frika e “fundit të botës”

20.03.2015 16:48

Universi ka ofruar sot një nga spektaklet e tij më të bukura, eklipsin diellor...

Ai u pa në shumicën e vendeve të Evropës, përfshirë edhe Maqedoninë.
 
Ishujt Faroe ishin me fatlumët sot, pasi arritën të shohin eklipsin e plotë të diellit. Evropa e pa më pak.
 
Në Maqedoni mundëm ta shijojmë mrekullinë astrologjike vetëm për disa minuta, në masën 45 %, por mjaftueshëm për të  parë fuqinë e madhe të natyrës.
 
Kulmi i eklipsit ishte në orën 10:45, kur Hëna arriti në pikën maksimale të mbulimit të Diellit në vendin tonë.
 
Megjithatë, edhe pse një dukuri normale, ngjarja astronomike ngjalli kureshtje të madhe te njerëzit.
 
Së pari, sepse disa shkencëtarë thonë se ekspozimi i syrit të lirë gjatë kohës së zhvillimit të eklipsit mbi objekt është i rrezikshëm. Ndaj, u këshillua që ai të mos shikohej me sy të lirë për një kohë të gjatë pa mjete mbrojtëse. Po si e panë qytetarët e Shkupit këtë fenomen të mrekullueshëm të qiellit? 
 
“Ato punë janë punë të Zotit, sepse çdo gjë e ka rrugën e vetë dhe ndoshta vjen momenti që e zë dritën e diellit”- u shpreh një qytetar.
 
“Unë deri më tani vetëm një herë e kam parë eklipsin e Diellit edhe atë kur i kam pasur 9 vjet”- theksoi një qytetar.
 
”Eklipsi i Diellit është proces natyror, nuk e di saktë tani se në sa vjet e njëjta përsëritet, por di të them se është gjë normale. Unë sot nuk arrita ta shoh diellin, por e di se në vitin 1999 ndodhi e njëjta gjë, eklipsi i Diellit”- tha një qytetare.
 
Profecitë anembanë botës kanë rikthyer edhe njëherë për njerëzit frikën mbi teorinë e fundit të botës. Pastori, Mark Blitz, ka deklaruar se eklipsi diellor i kësaj të premte mund të shënojë fillimin e ditës se gjykimit.
 
Kësaj deklarate ai i shtoi edhe argumentin se dy javë pas eklipsit do të zhvillohet fenomeni i eklipsit hënor, çka është pjesë e tetradës së hënave të përgjakta. Dhe shumë persona i kanë lidhur këto ngjarje kozmike me paralajmërimin për fundin e botës.
 
Gjithashtu, këtyre koincidencave u shtohet edhe ngjarja e ekuinoksit të pranverës, në datën 21 mars, një përkim i rrallë që ndodhë një herë në 100,000 vjet. Dhe, sipas Blitz, kjo tregon se Evropa do të përfshihet nga trazira të shumta.
 
Pas gjithë këtyre dukurive astronomike, më 13 shtator të këtij viti do të ndodhë edhe një tjetër eklips diellor, por këtë herë i pjesshëm, i cili do të pasohet nga Hëna e katërt e përgjaktë, e cila do të zhvillohet më 28 shtator, duke mbyllur kështu tetradën e hënave të kuqe.
 
A do të vërtetohen profecitë e frikshme të përfolura deri më tani me përfundimin e kësaj tetrade? Tashmë që jemi në gjysmën e kohës së ciklit të tyre, ju mund ta gjykoni vetë nëse ndonjë gjë e jashtëzakonshme ka filluar të ndodhë.
 
Në fakt, sot në mëngjes u dëgjua një tërmet pret 3.1 ballë, që u ndje më shumë në fshatrat e Sarajit. Por, a ka të bëjë ky tërmet me eklipsin dhe fundin e botës, këtë ne nuk e dimë. 
 
REXHEP QAMILI