Kulturë
Shkëlzen Doli mahniti publikun në Tetovë
20.03.2015 16:58
Mbrëmë, Tetova kishte privilegjin të shijojë tingujt e mrekullueshëm të violinistit shqiptar të Filharmonisë së Vjenës...

Mbrëmë, Tetova kishte privilegjin të shijojë tingujt e mrekullueshëm të violinistit shqiptar të Filharmonisë së Vjenës, maestron me përmasa botërore, Shkelzen Doli, i cili shkëlqeu me performancën e tij të jashtëzakonshme.
Në skenë ai u shoqërua edhe nga violinisti tetovar, Shkelzen Baftijari, dhe Orkestra Popullore e SH.K.A “Xheladin Zeqiri”, nën udhëheqjen e Jeton Pustinës. Maestro Doli, solli një mozaik të pasur me motivet më të bukura shqiptare, duke mahnitur të pranishmit.
“Unë ka vite që punoj për të eksploruar muzikën shqiptare dhe jam shumë i lumtur që mu dha rasti që atë që unë e ndjej dhe dua ta shpreh para jush. Ka vite që unë punoj për të prezantuar muzikën tonë të bukur e të pasur”- deklaroi violinisti, Shkëlzen Doli.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha me këtë rast se Tetova po e dëshmon çdo ditë e më shumë se po shndërrohet në epiqendër të kulturës.
Me vendim të Këshillit Komunal të Tetovës, Shkëlzen Dolit iu nda shpërblimi për vlera dhe arritje në sferën e universalizmit kulturor dhe me këtë rast ajo u shpreh se kultura është një moment i cili i bashkon të gjithë.
Me realizimin e këtyre aktiviteteve kulturore dëshmohet se bota është shumë e vogël përpara vlerave të mëdha kulturore.
Ky koncert u realizua në kuadër të agjendës kulturore “Dardania” të Komunës së Tetovës, ndërsa mjetet e grumbulluara do të dhurohen për qëllime bamirësie.
Doli, fitoi zemrat dhe simpatinë e mbarë popullit shqiptarë në koncertin tradicional të Vitit të Ri, të organizuar nga Filharmonia e Vjenës, me performancën “Albanian Soul”, e cila u ndoq anekënd botës.
ARDITA IMERI
