Botë

Ushtria izraelite në zemër të Gazës, Hamas: S’ka negociata nëse nuk ndalet agresioni

06.12.2023 14:10

Ushtria izraelite ndodhet në zemër të Gazës, në Khan Jounis...

Ushtria izraelite ndodhet në zemër të Gazës, në Khan Jounis. Ndërkohë në Jug të Rripit janë duke u zhvilluar betejat më të ashpra që nga fillimi i luftës. Ka filluara faza e tretë e ofensivës tokësore. Janë goditur mbi 250 objektiva dhe sipas ushtrisë izraelite është shkatërruar infrastruktura e grupit Hamas.
 
"Pas 60 ditësh që nga fillimi i luftës, forcat tona po rrethojnë zonën Khan Jounis në jug të Gazës. Në të njëjtën kohë, ne po punojmë për të thelluar arritjet tona në pjesën veriore të Rripit. Kushdo që mendoi se ushtria jonë nuk do të dinte se si të rifillonte luftimet pas armëpushimit, gaboi. Në ditët e fundit, shumë operativë, duke përfshirë komandantë të lartë të Hamasit janë eliminuar.”, - deklaroi shefi i Shtabit në Ministrinë e Mbrojtjes Izraelite, Herzi Halevi. 
 
Ndërkohë nga grupi palestinez Hamas thonë se nuk do të këtë negociata nëse  Izraeli nuk e ndalon agresionin luftarak.
 
“Ndërmjetësuesit bënë përpjekje, por pjesa që i bllokoi këto përpjekje është okupimi. Nuk do të ketë negociata apo marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve përpara se sulmi izraelit të përfundojë. Netanjahu është përgjegjës për jetën e robërve izraelitë në Gaza, pasi objektivi i tij i vërtetë është eliminimi i popullit palestinez.”, - theksoi përfaqësuesi i Hamasit në Liban, Osama Hamdan.
 
Sekretari i shteti amerikan, Antoni Blinken, vazhdon të mbështesë operacionet ushtarake të Izraelit, por thotë se duhet të ndihmohen njerëzit e pafajshëm.
 
“Ne jemi të vendosur të sigurohemi që Izraeli mund të bëjë atë që është e nevojshme për t'u siguruar që 7 tetori të mos ndodhë më kurrë. Ne duhet ta mbështesim këtë, por duhet të sigurohemi që po bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar ata që kanë nevojë dëshpëruese për ndihmë, duke përfshirë shumë burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm në Gaza.", - u shpreh sekretari i shtetit i ShBA-së, Antoni Blinken.
 
Nga OBSh-ja thonë se situata në enklavën e luftës po përkeqësohet çdo orë dhe fatkeqësia humanitare po bëhet më e madhe. Gaza përballet me urinë dhe sëmundjet.
 
“Ne nuk mund ta përballojmë atë që ndodhi në veri. Jemi afër orës më të errët të njerëzimit. Humbja e pakuptimtë e jetëve njerëzore, duhet të ndalet. Nevojitet një armëpushim i përhershëm.”, - deklaroi përfaqësuesi i OBSh-së, Riçard Piperkorn. 
 
Numri i palestinezëve të vrarë ka arritur në 16,400, shumica e tyre janë fëmijë, ndërsa nga pala izraelite jetën e kanë humbur rreth 1,500 persona.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU