Maqedoni

Zgjidhja për korrupsionin? Pendarovski: Harmonizimi i ligjeve me ato të BE-së

06.12.2023 14:33

Mungesa e vullnetit politik, mangësitë sistemike dhe kultura e mosdënimit...

Mungesa e vullnetit politik, mangësitë sistemike dhe kultura e mosdënimit, janë vetëm një pjesë e shkaqeve për korrupsion në Maqedoninë e Veriut, vlerëson presidenti, Stevo Pendarovski. Harmonizimin e legjislacionit vendor me atë evropian, Pendarovski e sheh si zgjidhje për të luftuar korrupsionin, por nuk përjashton as opsionin për nënshkrimin e një marrëveshjeje kornizë, kësaj radhe për ekonominë dhe kundër korrupsionit. 
 
“E dimë që kjo është një epidemi. Zgjat me vjet, jemi të informuar se viteve të fundit ka disa raste publike që janë të pashpjegueshme nga pikëpamja e mosndëshkimit. Prandaj na pret shumë punë. Pasi shkojmë në fazë parazgjedhore, ndërhyrjet fundamentale, ku duhet të marrin pjesë edhe ata të pushtetit lokal, janë të pamundshme, sepse subjektet politike që duhet t’i iniciojnë këto çështje, merren me zgjedhjet.”, - deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.
 
Ndryshimet në Kodin Penal, Gir: Krijuan zbrazëtirë juridike
 
Ndërsa për euroambasadorin Gir, numri i rasteve të korrupsionit të lartë shkon në rritje dhe kjo është ndihmuar me ndryshimet në Kodin Penal që ndikojnë në vjetrimin e lëndëve.
 
“Shprehim shqetësim serioz për ndryshimet në Kodin Penal, të cilat ulin dënimin maksimal me burg në disa raste edhe për korrupsion shumë serioz që çon te vjetërsimi si instrument dhe një numër i rasteve të tilla ndërpriten. Këto ndryshime krijojnë zbrazëtirë juridike që mundet të keqpërdoren në fushën e funksionit publik dhe në fushën e prokurimeve publike. Javëve të fundit i shohim edhe pasojat nga këto ndryshme.”, - theksoi ambasadori i BE-së, Dejvid Gir.
 
Gërkovska: Për t’i rezistuar korrupsionit, institucionet ta kryejnë punën e tyre
 
Sllavica Gërkovska, zëvendëskryeministrja përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, vlerëson se të gjitha institucionet kompetente duhet të përmbushin pjesën e tyre të detyrës për të pasur një sistem efikas dhe rezistent ndaj korrupsionit. 
 
“Obligimi kryesor bie mbi institucionet vendore. Çdo ndihmë e institucioneve ndërkombëtare, e shteteve tona mike, sidomos e ShBA-së që është partner strategjik i joni është e mirëseardhur. Dhe pres që institucionet vendore t’i ndërmarrin të gjitha masat bazuar në vërejtjet e marra.”, - theksoi zëvendëskryeministrja përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska. 
 
Në Forumin e Hapur për Korrupsion u konstatua se nëse duam të ndërtojmë një shoqëri të drejtë të bazuar në vlerat më të larta etike dhe integritet, atëherë lufta kundër korrupsionit nuk duhet të jetë vetëm deklarative, por ajo të luftohet nga të gjithë. 
 
SANIJE DURAKU