Ekonomi
Buxheti 2024, 5,5 miliardë euro, investimet kapitale vetëm në letër
06.12.2023 14:51
Buxheti i rëndë prej 5,5 miliardë euro është megaloman dhe jopërmbajtësor që do të përfundojë drejt shpenzimit kriminel...

Buxheti i rëndë prej 5,5 miliardë euro është megaloman dhe jopërmbajtësor që do të përfundojë drejt shpenzimit kriminel, janë akuzat e deputetëve të VMRO – DPMNE-së. Në Komisionin Kuvendor për Financa dhe Buxhet, opozita thotë se buxheti nisur nga viti 2018 me vlerë prej 3,4 miliardë euro, është rritur ndjeshëm, por pa reflektuar efektet në praktikë. Sipas tyre, edhe me këtë buxhet rrejshëm favorizohen projektet kapitale, ndërkaq borxhi publik deri në fund të 2024-ës do të shkojë në 9 miliardë euro, nga aktuali 8,3 miliardë euro.
“Ju keni një organizëm, një parazit, një mendësi kriminale, e cila thith pikërisht këtë buxhet të cilin ne duhet ta shqyrtojmë dhe për këtë buxhet duhet të themi se nuk pasqyron nevojat e qytetarëve. Dikush në formë naive thotë se theksi do të vihet në shpenzimet kapitale dhe se sërish do të kemi buxhet zhvillimor. Kjo s’do të ndodh, pasi theksi i buxhetit vihet në masat antikrizë.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Toni Jarevski.
Nga LSDM-ja thonë se s’ka qenë fare mirë gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, ku janë fryrë shpenzimet për investime kapitale, por rezultatet zero. Deputetja Marija Georgievska siguron se mekanizmat kontrollues do të shmangin keqpërdorimet.
“Të ketë më shumë kontroll në realizimin e investimeve kapitale dhe mjetet të cilat nuk do të realizohen, të mos përdoren nga dikush tjetër ose të rialokohen, por ato mjete të mbeten aty dhe më pas të investohen në projekte të rëndësishme infrastrukturore. Gjithashtu duhet të ketë përgjegjësi për ata që nuk do të realizojnë premtimet.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Marija Georgievska.
Por opozita konsideron se shumë rrugë nuk janë përfunduar nga ardhja e LSDM-së në pushtet, sikurse rrugët Kërçovë – Ohër, Gradsko - Prilep, Katllanovë – Petrovec, duke mos harruar as premtimet për qendrën e re klinike, ndërkaq 600 mijë qytetarë jetojnë në varfëri. LSDM-ja nga ana tjetër konsideron se kanë rritur standardin e qytetarëve me rritjen e pagave dhe pensioneve dhe janë rikonstruuar mbi 1 mijë kilometra rrugë, janë ndërtuar qendra voltaike për të tejkaluar krizën energjetike dhe kanë përpiluar plan punësimi.
MERAL ISMAILI
