Maqedoni

Përfundoi skriningu për kapitujt 30 dhe 31, Kovaçevski: BE-ja, partneri më i madh ekonomik

06.12.2023 15:04

Me sesionin e fundit për Klasterin 6 përfundoi skriningu për kapitullin 30 për Marrëdhëniet me jashtë dhe kapitulli 31 politika e përbashkët...

Me sesionin e fundit për Klasterin 6 përfundoi skriningu për kapitullin 30 për Marrëdhëniet me jashtë dhe kapitulli 31 politika e përbashkët, e jashtme dhe e sigurisë. Në sesion mori pjesë edhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski, i cili deklaroi se BE-ja është partneri ynë më i madh ekonomik dhe se Maqedonia e Veriut nuk do të kërkojë periudha transitore, por do ta pranojë plotësisht ligjin e BE-së.
 
“Dua të potencoj se nuk e kemi ndërmend të kërkojmë lëshime, e as periudha kalimtare për këtë kapitull. I pranojmë ligjet e BE-së lidhur me këtë kapitull në tërësi. Do të fokusohemi në harmonizimin e politikave tona tregtare me BE-në në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe do të vazhdojmë të zbatojmë rregullat e BE-së për kontrollet e eksporteve me përdorim të dyfishtë, kreditë e eksportit, investimet dhe instrumentet e mbrojtjes tregtare në kornizat tona kombëtare, ligjore dhe institucionale.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
 
Pendarovski: Vazhdimi i eurointegrimeve i mbetet Qeverisë së re
 
Ndërkohë presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, thotë se për shkak të mospajtimeve të opozitës, sipas të gjitha gjasave ndryshime kushtetuese nuk do të ketë. Kjo sipas presidentit do të thotë se vazhdimi i eurointegrimeve do t’i mbetet Qeverisë së re që do të del pas zgjedhjeve të dakorduara për 8 maj të vitit të ardhshëm. 
 
“Do të presim Qeverinë e re, përbërjen e re kuvendore, e cila duhet shumë seriozisht të merret me këtë çështje. Do të ishte interesant të shihet nëse do të ketë ndryshim të pushtetit se si do të reagojë opozita aktuale kur duhej ta lus opozitën e atëhershme për të votuar me dy të tretat.”, - theksoi presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
 
Kërzhallovski: Procesi i hapjes së kapitujve do të ndërpritet
 
Për shkak të mos ndryshimeve kushtetuese nuk është plotësuar kushti për hapjen e kapitujve, prandaj tërë procesi do të ndërpritet, thotë Aleksandar Kërzhallovski nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar.
 
“VMRO-DPMNE-ja edhe më tej deklaron se nuk janë të gatshëm t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese dhe me siguri ashtu edhe do të përfundojë, sepse zgjedhjet u dakorduan për në maj dhe deri atëherë vlerësoj se asgjë nuk do të ndodhë.”, - deklaroi Aleksandar Kërzhallovski nga QMBN-ja.
 
Gir: Zgjerimi i BE-së, interes reciprok
 
Euroambasadori, Dejvid Gir, thotë se zgjerimi i BE-së është interes reciprok, ndërsa nga plani zhvillimor për Ballkanin përfiton edhe Maqedonia e Veriut.   
 
“BE-ja po e shikon Ballkanin Perëndimor me një ndjenjë të re urgjence, pjesërisht për shkak të ngjarjeve tragjike në Ukrainë si rezultat i agresionit rus. Kuptohet qartë se zgjerimi është interesi ynë reciprok, po flasim për prosperitet, demokraci, por edhe stabilitet e siguri. Paketa e fundit e zgjerimit i lejon vendet t'i qasen anëtarësimit jo vetëm duke identifikuar fushat ku nevojitet punë urgjente, por edhe duke ofruar udhëzime se si ta bëjnë këtë. Jepet edhe një plan për zhvillim dhe rritje për Ballkanin Perëndimor, që është stimul i madh për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale këtu në Maqedoninë e Veriut.”, - theksoi ambasadori i BE-së, Dejvid Gir. 
 
Pas përfundimit të procesit të skriningut që ka zgjatur 15 muaj, vijojnë udhërrëfyesit, të cilat janë detyrimi i RMV-së që buron nga Korniza Negociatore, të cilat nga ana e tyre janë kusht për hapjen e klasterit të parë. Bëhet fjalë për udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, për reformën e administratës publike dhe për funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe plani i veprimit për mbrojtjen e pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve.
 
GYLTENE SINANI