Maqedoni
Vrasja e 14-vjeçares, filloi procedura e ekstradimit të Palevskit
06.12.2023 15:19
Ka filluar procedura për ekstradimin e Ljupço Palevskit nga Turqia, dokumentet janë në përfundim e sipër...

Ka filluar procedura për ekstradimin e Ljupço Palevskit nga Turqia, dokumentet janë në përfundim e sipër, nuk do të presim të kalojë afati prej 40 ditësh për të dorëzuar kërkesën, thonë nga Ministria e Drejtësisë. Ata kërkuan nga autoritetet turke, që Palevski të mbahet në paraburgim deri në përfundimin e procedurës së ekstradimit. Ata presin që Turqia të veprojë menjëherë sipas kërkesës. Për heqjen e lirisë së tij ka ardhur edhe një njoftim zyrtar nga Interpoli.
“Tashmë janë bërë kontakte me PPRMV-në dhe PThP-në Shkup për të kompletuar në mënyrë të rregullt të gjitha shkresat që të mundet të veprojë Ministria e Drejtësisë. Jemi në koordinim me të gjitha institucionet përkatëse, për të vepruar menjëherë nuk do të presim afatin 40-ditorë për të paraqitur kërkesën për ekstradim.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Prokuroria do të dorëzojë dokumentacionin e plotë të nevojshëm.
“Përveç kërkesës për ekstradim, autoriteteve turke do t'i dorëzohet dokumentacioni i plotë i nevojshëm - urdhri për procedurë hetimore kundër të dyshuarit, vendimi me të cilin Gjykata Themelore Penale e Shkupit i ka caktuar mbrojtës sipas detyrës zyrtare dhe ka urdhëruar paraburgim, si dhe urdhri për dhënien e fletë-arrestit ndërkombëtar.”, theksojnë nga Prokuroria.
Kryeministri Kovaçevski nga Brukseli theksoi rëndësinë e përkrahjes ndërkombëtare të marrë nga MPB-ja e Maqedonisë për privimin e të dyshuarit kryesor për vrasjen e dyfishtë.
“Mbrëmjen e djeshme MPB-ja jonë ka marrë një njoftim nga kolegë nga Republika e Turqisë se kreatori dhe autori i drejtpërdrejtë i krimit është kapur dhe i është hequr liria në territorin e tyre, sipas njohurive operative që policia jonë kishte për rrugën e lëvizjes së të dyshuarit, pasi një ditë më parë, më 04.12.2023, ishte lëshuar fletë-arrest ndërkombëtar nga ana e Interpolit.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Pas përfundimit të procedurës së ekstradimit, marrja në dorëzim e personit merret vesh nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga VMRO-DPMNE-ja kërkojnë zgjerimin e hetimeve, thonë se me kaq shumë kallëzime penale dhe gjuhë të urrejtjes, Palevski është toleruar shumë gjatë.
ERSAN PAJAZITI
