Botë

Shpërthime në dy xhami në Jemen, 134 të vrarë dhe 345 të plagosur

20.03.2015 17:26

Sulmues vetëvrasës kanë hedhur veten në erë gjatë sulmit në dy xhami në qendër të kryeqytetit të Jemenit, Sanaa, duke vrarë të paktën 134 persona, derisa 345 janë lënduar...

Besimtarët po merrnin pjesë në lutjet e mesditës në xhamitë, “Bedër” dhe “Al-Hashoosh”, kur dy sulmues vetëvrasës u futën në xhami dhe aktivizuan eksplozivin që kishin lidhur rreth trupit të tyre. Xhamitë janë përdorur kryesisht nga besimtarë që janë përkrahës të Lëvizjes Shia, “Houthi”, e cila kontrollon kryeqytetin Sanaa.
 
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë, por militantët e “Al-Qaedas” kanë kryer sulme të ngjashme edhe në të kaluarën. Dega lokale e “Al Qaedas” ishte zotuar për t’u përballur me militantët e lëvizjes “Houthis”, pasi ata pushtuan kryeqytetin në shtator dhe filluan të zgjerohen në rajonet me shumicë sunite në pjesën qendrore dhe perëndimore të Jemenit. 
 
Shpërthimet në Sanaa vijnë një ditë pas përleshjeve vdekjeprurëse në qytetin jugor të Adenit, midis forcave besnike të presidentit, Abdrabbuh Mansour Hadi, dhe mbështetësve të paraardhësit të tij, Ali Abdullah Saleh. Presidenti e përshkroi ngjarjet e së enjtes në Aden si një “grusht shteti të dështuar ushtarak kundër legjitimitetit kushtetues”.
 
Paraardhësi i tij, Saleh, u detyrua të dorëzojë pushtetin te Hadi në vitin 2011, pas protestave masive. Por aktualisht, Saleh është aleate me lëvizjen “Houthis”, me të cilën luftonte derisa ishte president.
 
ERSAN PAJAZITI