Maqedoni

LSDM-ja ftesë publike për t’u bërë pjesë e frontit evropian

06.12.2023 15:33

LSDM-ja ka dalë me ftesë publike te partitë politike, organizatat joqeveritare, shoqatat qytetare dhe aktivistët...

LSDM-ja ka dalë me ftesë publike te partitë politike, organizatat joqeveritare, shoqatat qytetare dhe aktivistët, që të bëhen pjesë e frontit të gjerë evropian. Sipas kësaj partie, pjesë e këtij fronti duhet të jenë të gjithë ata që ardhmërinë e vendit e shohin në BE, pa marr parasysh dallimet etnike apo ideologjike.
 
“LSDM-ja ka ndërmarr nismën për formimin e frontit të gjerë nga të gjithë akterët politikë dhe shoqërorë, të cilët e mbështesin anëtarësimin në BE. Front evropian për jetë më të mirë dhe të dinjitetshme në vend me rroga më të larta dhe pensione, më shumë para për qytetarët, standard më të mirë jetësorë, arsim më të mirë, shëndetësi dhe siguri sociale, sundim të ligjit dhe demokraci të avancuar, front evropian për standard evropian dhe vlera evropiane.”, - deklaroi Martin Kostovski nga LSDM-ja.
 
Sipas kësaj partie, fronti evropian do të kishte për qëllim anëtarësimin e vendit në BE deri në vitin 2030.
 
VMRO-DPMNE: Vendi meriton ndryshime 
 
Por, nga VMRO-DPMNE-ja vlerësojnë se Maqedonia meriton ndryshime, sepse vendi asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë dhe më dramatike. Qeverisja e një qeverie të paaftë dhe arrogante e BDI-së, me nën kontraktorin LSDM-në, që për 8 vite e shtyn vendin drejtë humnerës. Fotografia e këtij pushteti janë tender në katër sy, kriminalitet, lista e zezë, korrupsion nga niveli më i ulët deri te ai më i lartë. Ekonomi e shkatërruar, varfëri dhe inflacion i lartë, i cili po shkon duke u rritur.  
 
“24 prilli dhe 8 maji janë datat kur populli do të dalë në zgjedhje masovikisht dhe në formë të organizuar në zgjedhje. Nuk votohet vetëm për VMRO-DPMNE-në apo LSDM-në dhe BDI-në, votohet për atë se a do të ketë ndryshime apo do të mbetet kjo ngecje dhe kthimi prapa në të gjitha sferat, nëse Maqedonia do të ketë ardhmëri apo do të kemi shtet të gjunjëzuar pa sistem dhe vlera si deri më tani.”.
 
Partitë shqiptare pritet të vendosin për pjesëmarrjen në zgjedhje
 
Në Bllokun shqiptar, BDI-ja këtë fundjavë do të mbledh organet partiake për të diskutuar opsionet e pjesëmarrjes në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, përfshirë shqyrtimin e ftesës publike të LSDM-së për t’u bërë pjesë e frontit evropian. Edhe ASh-ja pritet që ditëve në vijim të mbledhë organet partiake për të diskutuar mënyrën e daljes në zgjedhje. Ndërsa tri partitë opozitare shqiptare Besa, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa, tanimë kanë formuar koalicionin e përbashkët opozitarë. Edhe PDSh-ja dhe partitë e reja si Partia Demokratike Evropiane e Arianit Hoxhës dhe Lëvizja Popullore, ditëve në vijim pritet të sjellin vendim për mënyrën e pjesëmarrjes në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të 8 majit të vitit 2024.    
 
FITORE DEMOLLI