Maqedoni

Penov: Qeveria mbështet komunat

06.12.2023 15:51

Ministri i Pushtetit Lokal, Risto Penov, në Konferencën vjetore të organizuar nga UNDP-ja...

Ministri i Pushtetit Lokal, Risto Penov, në Konferencën vjetore të organizuar nga UNDP-ja ka shprehur gatishmërinë e ministrisë që drejton dhe Qeverisë për bashkëpunimin me pushtetin lokal. Ai thotë se kjo është dëshmuar edhe me mbështetjen e projekteve me karakter lokal me mjete nga buxheti qendror.
 
“Partneriteti me BNjVL-në për ne është shumë e rëndësishme, por vlerësoj se më shumë duhet të bisedojmë në drejtim që t’i harmonizojmë qëndrimet se në cilat fusha duhet të koncentrohemi, dhe pikërisht në këtë drejtim në biseda me UNDP-në po shikojmë mundësi që komunat të mund më lehtë të aplikojnë me projekte të ndryshme, me qëllim që të thithin sa më shumë mjete nga donatorët e huaj, por edhe mjete nga Buxheti Qendror. Vitin po e përmbyllim edhe me periudhën e IPA 2,  Fondeve ndërkombëtare ku janë të financuara përmes Unionit Evropian, por me participim edhe të Buxhetit Shtetëror me 15 për qind, plotë 192 projekte, të cilat kapin shifrat e 60 milion eurove, ku mjete nga buxheti i shtetit për këto projekte janë dhënë plotë 9 milionë euro.”, - deklaroi ministri i Pushtetit Lokal, Risto Penov.
 
Gjeorgjievski: Ngec procesi i decentralizimit
 
Por, kryetari i BNjVL-së, Orce Gjeorgjievski, thotë se RMV-ja akoma mbetet shumë mbrapa në Procesin e decentralizimit. Por, bartja e kompetencave duhet të shoqërohet edhe me mjete financiare. 
 
“Disa kompetenca tentojnë të na hedhin tek pushteti lokal, por nëse nuk kemi mjete nuk na duhen edhe këto kompetenca apo jemi të detyruar t’i mbulojmë me mjete, të cilat janë për projekte tjera. Në vendin tonë nuk praktikohen ligjet evropiane për pushtet lokal, ku strikt thuhet se për çdo kompetencë që bartet duhet të jetë e shoqëruar me mjete financiare për realizim. Dhe në vend që të rritet decentralizimi e cila bartë zmadhim të demokracisë në shoqëri, ne për fat të keq kemi një sjellje injorante të pushtetit lokal.”, - theksoi kryetari i BNjVL-së, Orce Gjeorgjievski.  
 
Ministri i Pushtetit Lokal, Penov, po ashtu theksoi se anketat flasin se shumë qytetarë shqetësimin kryesor e kanë te niveli i lartë i korrupsionit te pushteti lokal. Nga UNDP-ja edhe njëherë shprehën gatishmërinë për ta ndihmuar RMV-në në Procesin e Decentralizimit dhe financimin e shumë projekteve, të cilat janë në drejtim të shërbimeve më të mira dhe më të shpejta për qytetarët.
 
FITIM KRYEZIU