Botë
Barak Obama: ShBA-të do të “rivlerësojnë” marrëdhëniet me Izraelin
20.03.2015 17:43
Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, se SHBA-të do të rishikojnë marrëdhëniet amerikano-izraelite pas komenteve provokative të Netanjahut...

Obama përcolli këtë mesazh gjatë thirrjes telefonike që i bëri Netanjahut për t’i uruar fitoren e zgjedhjeve.
“Presidenti i tha kryeministrit se ka ardhur koha të rivlerësojmë opsionet tona pas pozicioneve të reja të marra nga kryeministri izraelit, si dhe komenteve të bëra në lidhje me zgjidhjen dyshtetërore”- bëhet e ditur nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, një deklaratë zyrtare e nxjerrë pas kësaj telefonate bënte të ditur se presidenti theksoi edhe njëherë qëndrimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara “të angazhimit për një zgjidhje dyshtetërore” gjatë bisedës së tyre.
Mëngjesin e së enjtes, Netanyahu u rikthye sërish te mospranimi prej tij i zgjidhjes dyshtetërore, një pozicion që ai nxori në pah në përpjekje për të apeluar ndaj votuesve të djathtë, në një moment kur sondazhet tregonin një përballje kokë më kokë në garën elektorale.
ERSAN PAJAZITI
