Botë

Të shtëna në një universitet në Las Vegas, autori dyshohet se ishte një ish-profesor

07.12.2023 10:39

Të paktën tre persona janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në kampusin e Universitetit të Nevadës...

Të paktën tre persona janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në kampusin e Universitetit të Nevadës në Las Vegas dhe një tjetër i plagosur ndodhet në gjendje kritike në spital. Këtë e ka bërë të ditur policia, duke sqaruar se vrasësi i dyshuar ka vdekur.
 
Duke folur për mediat amerikane, i armatosuri u përshkrua si një ish-profesor kolegji në të gjashtëdhjetat e tij. Ata shtuan se ai më parë kishte dhënë mësim në Xhorxhia dhe Karolinën e Veriut. Të shtënat ndodhën jo shumë larg vendit të masakrës në Las Vegas, ku në vitin 2017, Stefen Padok 64 vjeç, qëlloi rastësisht një turmë me 23 armë, nga dritarja e dhomës së tij në hotelin Mandalaj, duke vrarë 61 persona dhe duke lënë 850 të plagosur.
 
Presidenti Xho Bajden reagoi ndaj të shtënave  duke u bërë thirrje republikanëve në Kongres të miratojnë një ligj ndalimi për armët e sulmit. Zyrtarë të tjerë lokalë shprehën gjithashtu shqetësim lidhur me raportet nga kampusi i Vegasit. Në vitin që po përfundon, ShBA-ja ka regjistruar numrin më të madh të të shtënave masive në një vit që nga viti 2006. Sipas një analize të CNN, deri më tani këtë vit ka pasur 80 të shtëna në shkolla në ShBA. Prej tyre, 51 të shtëna janë raportuar në kampuset K-12 dhe 29 në kampuset e universiteteve dhe kolegjeve.