Botë
Prokuroria në Shqipëri: të arrestohen deputetët, Doshi e Frroku
20.03.2015 17:50
Prokuroria e përgjithshme kërkon arrestimin e deputetëve, Tom Doshi e Mark Frroku, për kallëzim të rremë...

Organi Qendror i Akuzës i akuzon dy deputetët se kanë inskenuar atentatin e mbetur në tentative, të denoncuar nga deputeti Doshi se kreyparlamentari Meta kishte porositur vrasjen e tij.
Prokuroria deklaron se nga hetimet dyjavore ka dalë se kallëzimi ka qenë i rremë dhe është realizuar në bashkëpunim me 36 vjeçarin, Durim Bamin, nga Fushë-Kruja. Ky i fundit, gjendej në një video ku deklaronte se kishte marrë një shumë të madhe lekësh për të vrarë deputetin, Tom Doshi.
Por, i pyetur nga prokuroria për këtë dëshmi, ai pati shpjeguar se është paguar nga deputetët që të gënjejë. Përpos këtij paradoksi deklaratash, gjatë hetimeve prokuroria nuk ka gjetur asnjë gjurmë tentative vrasjeje për deputetët, Tom Doshi e Mhill Fufi.
Duke i akuzuar deputetët, Doshin e Frrokun, për 3 vepra penale, Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë autorizimin për arrestimin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshin dhe Mark Frrokun, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementeve të veprave penale: “Kallëzim i rremë”, “Kanosje për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë” dhe “Deklaratë të rreme përpara prokurorit”.
Hetimet për denoncimin publik të Doshit nisën më 3 mars, ndërsa për afro 3 javë para prokurorëve dëshmuan 42 persona, u realizuan 3 ballafaqime, si dhe për herë të parë në historinë e Shtetit shqiptar të gjithë zyrtarët e lartë u paraqitën para prokurorëve për të dëshmuar.
Kërkesë për arrestimin e deputetëve është dorëzuar këtë të premte zyrtarisht pranë parlamentit, ku pritet tashmë vendimi nëse do të miratohet apo jo kërkesa e prokurorisë.
LULJETA NDOKA
