Botë
Kuvendi i Shqipërisë miratoi buxhetin, seanca u mbyll mes shpërthimeve
07.12.2023 13:13
Në Kuvendin e Shqipërisë buxheti 2024, është miratuar në pak minuta...

Në Kuvendin e Shqipërisë buxheti 2024, është miratuar në pak minuta në një seancë të pazakontë plenare me 74 vota pro, 4 kundër dhe asnjë abstenim. Deputetët e opozitës grumbulluan karriget rreth foltores, mes përplasjes me gardën, ndezën sërish tymuese me ngjyra, ndërsa u dëgjuan edhe shpërthime në sallë.
Mes përplasjes së tavolinave dhe thirrjes “turp”, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka miratuar nen për nen “Buxhetin 2024”.
Me këtë rast edhe deputeti demokrat, Asllan Dogjani, u përjashtua nga seanca, pas ndezjes së tymueses. Kujtojmë se opozita paralajmëroi kaos dhe bllokim të punës në Kuvend, pas përjashtimit me 10 ditë të 6 deputetëve: Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti, si protagonistët e tensioneve herën e shkuar për të sabotuar me flakadanë punën e Kuvendit.
