Maqedoni

Përfundon procesi i skriningut me BE-në, Osmani-Mariçiq: Ta shfrytëzojmë momentin

07.12.2023 14:23

Përfundon skriningu i fundit dypalësh për kapitullin 31 të klasterit 6 që mbulon politikën e jashtme...

Përfundon skriningu i fundit dypalësh për kapitullin 31 të klasterit 6 që mbulon politikën e jashtme dhe të sigurisë. Për këtë proces të ekzaminimit, sipas zëvendëskryeministrit për eurointegrime, Bojan Mariçiq, 15 muaj janë angazhuar 1,000 pjesëmarrës, që ka mundësuar 850 prezantime në 250 institucione të ndryshme.  Duke theksuar përkushtimin e vendit në harmonizimin e ligjeve me BE-në, Mariçiq shpalos pritshmëritë e samitit të Këshillit Evropian javën e ardhshme.
 
“Presim të marrim rekomandim për të vazhduar me konferencën e dytë ndërqeveritare. Secili hap i ardhshëm në procesin aderues të vendit tonë në BE,  si dhe dinamika e negociatave, do të varet vetëm prej nesh, nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Gjendemi para pikës kryesore të historisë, e cila do ta transformojë shoqërinë maqedonase. Ky është një moment historik për RMV-në, Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. Prolongimi apo bllokimi i procesit të BE-së dhe anëtarësimit të RMV-së në BE paraqet rrezik për reformat dhe zhvillimin tonë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Bojan Mariçiq.
 
Sipas ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, përfundimi i procesit të skriningut ka kompletuar dizajnin e shtëpisë evropiane të Maqedonisë së Veriut. Nga Brukseli sërish i bën thirrje Kuvendit që të përmbyll procesin e miratimeve kushtetuese. Sidomos thirrjen e dërgon në adresë të partisë që siç thotë ai, pretendon të udhëheqë me pushtetin e ardhshëm. Ndalet edhe në propozimin për integrim hap pas hapi para se të bëhemi anëtare e plotë e BE-së.
 
“Kam thënë disa herë se nëse Maqedonia e Veriut është 100% e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, pse të mos thirret në Këshillin për punë të jashtme? Jo me të drejtë vote, por është e udhës simbolike të thuhet se ju jeni 100% të harmonizuar, jeni afër të jeni pjesë e familjes. Pra, më shumë integrim para integrimit të plotë. Të ulesh në tavolinë pa të drejtë vote dhe të kesh qasje në tregun e përbashkët evropian, pra kritere që kërkohen.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. 
 
Procesi i skriningut filloi më 15 shtator të vitit 2022 dhe u zhvillua sipas dinamikës së paraparë, thonë nga sekretariati për Eurointegrime, si skriningu shpjegues ashtu edhe ai dypalësh, për 33 kapituj të përfshirë në 6 klasterë. Me këtë angazhim  të fundit, procesi i skriningut për RMV-në mbyllet zyrtarisht.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU