Botë
Marrëveshje Prishtinë-Beograd, Lajçak: S‘ka lëvizje në zbatimin e tyre
07.12.2023 14:45
I dërguari i veçantë për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak...

I dërguari i veçantë për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se normalizimi Kosovë-Serbi nuk është i mundur, pa ekzistuar një vizion i qartë si ky proces të lidhet me proceset evropiane.
Duke folur në panelin e organizuar nga organizata “Miqtë e Evropës”, Lajçak ka konfirmuar se s‘ka lëvizje pozitive në zbatimin e disa marrëveshjeve mes palëve. “Jemi në prag të mbylljes së një dosjeje të rëndësishme energjetike, ka progres në çështjen e targave tek personat e zhdukur, si dhe te hapat si të zbatohet marrëveshja mbi rrugën drejt normalizimit.”.
Lajçak tërhoqi vërejtjen se koha nuk punon as për Kosovën e as për Serbinë, meqë, sipas tij, ata duhet të kenë parasysh kalendarin politik, meqë vitin tjetër do të zhvillohen zgjedhjet evropiane. Ai insiston se marrëveshjet duhet të arrihen para fushatës parazgjedhore dhe nuk është e mençur që të pritet struktura e re në institucionet evropiane. Normalizimin e raporteve ai e cilësoi çështje me rëndësi strategjike dhe porositi se pa këtë normalizim nuk mund as të ëndërrojmë të ardhmen Evropiane.
Ndërkohë Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar urdhër-arrest për Millan Radoiçiqin, i akuzuari kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë, në veriun të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për mediat ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.
Ai tha se urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
GYLTENE SINANI
