Maqedoni

Punësimet në administratë, AP: Rritet përfaqësimi i shqiptarëve

07.12.2023 15:03

Ka shënuar rritje numri i përfaqësimit të shqiptarëve në sektorin publik...

Ka shënuar rritje numri i përfaqësimit të shqiptarëve në sektorin publik, kurse ka rënë ai i maqedonasve, tha avokati i popullit gjatë prezantimit të raportit të posaçëm për monitorimin e zbatimit të parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në sektorin publik.
 
“Numri i të punësuarve nga komuniteti maqedonas është zvogëluar për 0,9 për qind dhe ky trend pra për vite me radhë vazhdon. Në raport me vitin e kaluar kur ka qenë 72,8 për qind, tani është 71,9. Në vitin 2022, përfaqësimi i komunitetit shqiptar ka shënuar një rritje te numri i të punësuarve në sektorin publik për 0,8 për qind, për dallim nga viti i kaluar ku ky përfaqësim ishte 20,6 për qind, tani është 21,4 për qind.”, - deklaroi Avokati i Popullit, Naser Ziberi. 
 
AP: Përfaqësimi i minoriteteve, i ulët
 
Te komuniteti turk vërehet një rritje prej 0,1 për qind, komuniteti vlleh ka zvogëlim prej 0,1 për qind, ndërsa komuniteti serb, rom dhe boshnjak mbetet në përqindjen e vitit të kaluar. Me këtë, sipas Avokatit të Popullit dëshmohet se institucionet nuk kanë respektuar rekomandimet e Avokatit të Popullit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
 
“Pothuajse të gjitha komunitetet më të vogla përfaqësohen me një përqindje pothuajse identike të të punësuarve si në vitet e kaluara, që do të thotë se institucionet nuk i respektojnë plotësisht rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe për rrjedhojë nuk zbatojnë planet vjetore të miratuara për punësim në të cilat përfaqësimin e shprehur etnik dhe zbatimin e parimit kushtetues të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë.”, - theksoi Avokati i Popullit, Naser Ziberi. 
 
Për nevojat e këtij hulumtimi, siç ka treguar Ziberi, janë dorëzuar kërkesa në gjithsej 1,325 institucione dhe autoritete, pas së cilës për herë të parë këtë vit janë pranuar përgjigjet nga të gjitha në formë elektronike.
 
ERSAN PAJAZITI