Maqedoni

Komisioni për Financa dhe Buxhet, shqyrtohen 272 amendamente për buxhetin 2024

07.12.2023 15:21

Shumica në Komisionin parlamentar për Financa dhe Buxhet refuzoi amendamentet e VMRO-së...

Shumica në Komisionin parlamentar për Financa dhe Buxhet refuzoi amendamentet e VMRO-së, sa i takon uljes së shpenzimit të akcizave në vlerë prej 3 miliardë denarë me qëllim të uljes së TVSh-së për energji elektrike për amvisëritë nga 18 në 5%. Gjithashtu u refuzua kërkesa për uljen e TVSh-së për drurin për ngrohje. Deputetët e VMRO pretenduan se me amendamentet e tyre mund që të tejkalohet kriza.
 
“Vetëm nga një mijë denarë do t’u japim kategorive të caktuara të njerëzve? Ju lutem, në këtë shtet ka sistem dhe mund të sillet zgjidhje sistematike. Është shumë e thjeshtë, është ekonomi. Të ulim TVSh-në për rrymën, për drurin për ngrohje dhe në bazë të atyre uljeve ne do të ngushtojmë edhe shpenzimet.”, - deklaroi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
 
“Tendenca e këtyre amendamenteve është shumë e qartë. Themi se kemi krizë energjetike dhe problem me ushqimin. Ulni tatimet aty ku qëndron shkaku për shkaktimin e krizës. Nëse energjia është problemi i krizës atëherë duhej të reagohej këtu.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zdravko Trajanov.
 
Por, zëvendësministri i Financave në arsyetimin e tij tha se ulja e TVSh-së së drurit do të rrisë kërkesën blerëse, që është në kundërshtim me ruajtjen e ambientit dhe normat evropiane. Ndërkaq, sa i përket rrymës tha se uljet janë realizuar gjatë kohës së krizës.
 
“Thuajse dy vite ne kishim tatime prej 5% dhe 10% gjatë krizës më të madhe dhe atëherë me të vërtetë u ndihmuan të gjithë qytetarëve dhe amvisëritë me këtë masë.”, - u shpreh zëvendësministri i Financave, Filip Nikollovski.
 
Sipas deputetëve të LSDM-së, amendamentet e opozitës janë të paarsyeshme dhe po kërkohen në vend të gabuar. 
 
“Për momentin s’ka asnjë lidhje me këtë amendament. E para as që keni shkruar se sa duhet të ulet TVSh-ja 10% apo 5%. Ky amendament është i zbrazët. Që ta votojmë këtë amendament do të duhet të dorëzojmë ndryshime në ligjin për TVSh-në dhe kjo flet për mosnjohjen tuaj për këtë materie.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Daniela Markovska.
 
Komisioni gjithashtu refuzoi shpenzimet e akcizave me vlerë 1 miliard denarë, me qëllim që të ulet tatimi i vlerës së shtuar për produktet ushqimore në 5%. Debati vazhdon ditëve në vijim deri në shqyrtimin e 272 amendamenteve.
 
MERAL ISMAILI