Maqedoni
Rasti “Vanja”, VMRO-ja akuzon MPB-në për lëshime
07.12.2023 16:00
VMRO-DPMNE-ja opozitare akuzon MPB-në se jo vetëm që ka filluar me vonesë hetimi për Vanjën...

VMRO-DPMNE-ja opozitare akuzon MPB-në se jo vetëm që ka filluar me vonesë hetimi për Vanjën, por edhe se ka bërë një sërë lëshimesh me zbardhjen jo në kohë të rastit të zhdukjes së Pançe Zhezhovskit.
Deputeti Dragan Kovaçki tha se automjeti me të cilin është rrëmbyer Vanja është raportuar i zhdukur në MPB më 22 nëntor dhe më datë 24 veç më ka qenë në Shkup. Ata pyesin Spasovskin se pse nuk janë ndërmarr masa operacionale specifike dhe gjithëpërfshirëse.
“Pse nuk u shpall menjëherë kërkim qendror për automjetin e të zhdukurit, kur për të njëjtën, përveç kallëzimit në MPB-në më datë 22, edhe në portalin e internetit të datës 25, tregohej se automjeti ishte po ashtu i zhdukur dhe për të cilin po e përsëris: Ministri i Brendshëm pretendoi se nuk e dinin që ai mungonte bashkë me Pançen e zhdukur? Dhe më e rëndësishmja: A është e vërtetë se automjeti me të cilin u vra Vanja ishte në rrugët e Shkupit, gati për t'u përdorur për vrasje, të premten, pra tre ditë para vrasjes?”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki.
Spasovski: Mos politizoni rastin tragjik
Spasovski kërkon që VMRO-DPMNE-ja të mos i politizojë këto raste dhe bëri thirrje për sjellje të përgjegjshme nga të gjithë.
“Politika apo çdo gjë tjetër në këto raste vrasjesh mendoj se i vret edhe një herë viktimat. Nuk dua që të gjithë t’i lëshohemi politikës, por të punojmë seriozisht deri në fund, të zgjerojmë hetimin, të nxjerrim të gjitha faktet dhe provat dhe të gjitha ato fole radikale kriminale të zbardhen dhe të shkatërrohen plotësisht, sepse ushqimi i këtyre personave i motiveve etj., mund të shkaktojë pasoja të rënda.”, - theksoi Oliver Spasovski nga MPB-ja.
Kovaçevski: Provat dërgoni në Prokurori
Kryeministri Kovaçevski thotë se të gjithë ata që pretendojnë se kanë prova t'i dorëzojnë menjëherë organeve të hetuesisë, sepse edhe fshehja e provave është krim.
“Sa i përket komenteve të liderit të opozitës, ai në shumë raste e vendos veten edhe në rolin hetuesit dhe prokurorit e kështu me radhë, nuk do të hyjë në pjesët se me çka dëshiron ai të merret. Megjithatë fshehja e provave për të cilat ai thotë se i ka, është njëjtë vepër penale. Prandaj, nëse ka dëshmi, duhet të gjitha t’i dorëzojë te Ministria e Punëve të Brendshme ose te Prokuroria, sepse bëhet fjalë për një akt makabër i bërë nga jo-njerëz, të cilët duhet të dalin para drejtësisë.”, - u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Serbinë, Turqinë dhe INTERPOL-in, me shpejtësi kanë arritur t'i lokalizojë të gjithë autorët, t'i ndalojë dhe t'i dorëzojë të gjitha provat në Prokurori.
SANIJE DURAKU
