Korrupsioni, të rritet ndëshkueshmëria

07.12.2023 16:27

Në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit....

Në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, nga institucionet kompetente kërkohet më shumë përkushtim, ndërtimin e institucioneve të forta dhe të shëndosha, procedimin e rasteve korruptive dhe ndëshkimin e tyre.

Maqedonia e Veriut ballafaqohet me probleme serioze në fushën e sundimit të ligjit dhe nuk ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, u tha me këtë rast.

“Pres rekomandimet e faktorit ndërkombëtar të pranohen dhe të rritet efikasiteti i institucioneve të tjera që më tej duhet të veprojnë për rekomandimet dhe iniciativat e Komisionit shtetëror. KShPK-ja në mënyrë të qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se më miratimin e ndryshimeve të Kodit Penal janë shkelur shtyllat e sistemit juridik dhe nxiten pazaret politike dhe tregtia me ndikime.”, - deklaroi kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanova.

“Sundimi i ligjit dhe korrupsioni janë absolutisht të kritikuara për RMV-në në rrugën e BE-së. Korrupsioni është akoma një lloj krimi që ndikon në investime, zhvillim ekonomik dhe gjithashtu lidhet me llojet e tjera të krimit  si krimin e organizuar dhe larjen e parave. Kjo lidhje me aktivitete tjera kriminale paraqet kërcënim serioz për vendim tuaj. Maqedonia e Veriut ballafaqohet me probleme serioze në fushën e sundimit të ligjit dhe nuk ka progres në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.”, -  theksoi Mari Madlen Kanelopulu, nga delegacioni i BE-së në RMV.

“Mosndëshkueshmëria mbetet njëra nga problemet kryesore në vend pasi që KShPK-ja nuk është organ që mund të dënojë apo të burgosë dikë për korrupsion. Pra, ne jemi këtu të tregojmë dhe paralajmërojmë, ndërsa këtu janë institucionet e shteti që duhet të veprojnë dhe për fat të keq këtë mekanizëm nuk e kemi akoma mjaftueshëm të zbatuar. Të ndërpresim zinxhirin e mosndëshkueshmërisë, pa të gjithçka që bëjmë është e kotë. Duhet të ketë përgjegjësi dhe dënime për atë çka po zbulohet në marrëveshjet korruptive.”, - u shpreh Aleksandar Kërzhalovski nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar.

Kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanova, nga anëtarët e rinj të antikorrupsionit pret që në mënyrë profesionale dhe të paanshëm të vazhdojnë punën e komisionit, ta ruajnë vlerësimin pozitiv nga Komisioni Evropian dhe të ndërtojnë rezistencë të fortë nga ndikimet negative. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)