Krizë në NPK-Tetovë, përplasen këshilltarët e BDI-së dhe Komuna

07.12.2023 18:26

Edhe përkundër se vitin e kaluar nga komuna e Tetovës....

Edhe përkundër se vitin e kaluar nga komuna e Tetovës iu ndanë 25 milionë denarë NPK-së për rrogat e punëtorëve, ata edhe sot janë tre muaj pa rroga, thanë në një press konferencë këshilltarët e BDI-së në komunën e Tetovës. Ata shprehen se mjetet e ndara për NPK-në nuk kanë shkuar në rrogat e punëtorëve.

“Me kërkesë të udhëheqësisë së komunës se Tetovës, ndërmarrjes iu ndanë 25 milionë denarë si ndihmë financiare për t’ua paguar pagat punëtorëve, të cilët paga ndërmarrja ua kishte borxh. Në atë seancë ne kërkuam sqarim se ato mjete do të shkojnë tek punëtorët, por kryetari i komunës refuzoi t’i jap çfarëdo lloj dëshmie Këshillit Komunal. Ndërsa sot, pas një viti gjendemi përpara ndërmarrjes komunale ku këto punëtorë janë lënë në haresë dhe përsëri tre muaj pa paga dhe pa sigurim shëndetësor.”, - deklaroi këshilltari i BDI-së, Veton Murati.

Ndërkaq nga Komuna e Tetovës thanë se 25 milionë denarët kanë përfunduar në rrogat e punëtorëve, por rritja lineare e rrogave ka vështirësuar gjendjen financiare të ndërmarrjes.

“Mjetet në vlerë prej 25 milionë denarësh që janë votuar në Këshillin e Komunës së Tetovës, kanë përfunduar në xhirollogaritë e të punësuarve. Po ashtu problemet të cilat janë shtresuar me vite nga udhëheqësit e kaluar nuk mundet për një periudhë shumë të shkurtër t’i rregullojmë të gjitha.”, - theksoi zëdhënësja e komunës së Tetovës, Besarta Ramadani.

Ky problem nuk është i ri, por problem i vjetër 25 vite, u shpreh një i punësuar i NPK-Tetovës.

“Unë që 25 vite jam duke punuar në NPK. Kanë qenë PDSh-ja, BDI-ja, nuk jam i kënaqur nga asnjëra. Tani është Bilalli, ai nuk ka çka bën për momentin, se e ka gjetur firmën në minus. Ne kemi shpresa, kemi familje, kemi fëmijë, me barna jemi, nuk kemi sigurim, nuk kam unë e nuk ka as gruaja, të shkosh  te mjeku privat duhet të paguajmë e këndej rroga nuk kemi. Rrogën si e morëm u harxhua te rryma dhe interneti.”, - u shpreh një punëtor i NPK-së.

Javë më parë punëtorët e NPK-Tetovës, protestuan dy ditë duke mos pastruar qytetin, por ata e ndërprenë protestën pasi morën premtim nga komuna e Tetovës se do t’ua paguajë rrogat e mbetura. Për momentin punëtorët e NPK-së janë tre muaj pa rroga, rrogën e gushtit e kanë marrë disa ditë më parë. (Visar Sadiki, TVM2)