Shqipëri, buxheti miratohet në më pak se 8 minuta seancë
Me 74 kartonë jeshilë të ngritur...

Me 74 kartonë jeshilë të ngritur nga mazhoranca mes të cilëve edhe kryeministri, Edi Rama, që shkoi në seancë vetëm për të votuar, socialistët kaluan mes ylberit të tymueseve buxhetin dhe paketën fiskale.
Të vetmit deputetë që votuan kundër ishin 4 ligjvënësit nga radhët e Lulzim Bashës, që në Parlament u rikthyen vetëm për të ngritur kartonin e kuq.
Grupi i deputetëve të Rithemelimit nisën me përplasje me Gardën rreth një orë para se seanca të fillonte zyrtarisht. Në majë të pirgut të karrigeve u shfaq deputeti, Ervin Salianji, që në mungesë të Gazment Bardhit, udhëhoqi aksionin.
Gjatë seancës nuk munguan flakadanët e kapsollat. Pasi zbriti në tokë, Salianji nxori nga xhaketa Rregulloren e Kuvendit duke ia tundur deputetëve socialistë.
Por socialisti, Bledi Çuçi, ia bëri të qartë se PS-ja nuk do të tentojë dialog, duke thënë se nuk është mazhoranca përgjegjëse për krizën e shkaktuar në Parlament.
Këtë të enjte PS-ja publikoi draftin e ndryshimit të Rregullores, që koha maksimale e përjashtimit të deputetëve të jetë 2 muaj. (Luljeta Ndoka, TVM2)
