Maqedoni
Lëvizja për Reforma në PDSH, gjithçka gati për kongresin e nesërm
20.03.2015 17:56
Me moton “Rrugës së Arbërit”, Lëvizja për Reforma në PDSH, e udhëhequr nga Zijadin Sela...

Me moton “Rrugës së Arbërit”, Lëvizja për Reforma në PDSH, e udhëhequr nga Zijadin Sela, nesër do të fillojë kongresin e gjashtë të rregullt të Partisë Demokratike Shqiptare në Tetovë.
Kështu shprehet Faton Murseli nga kjo lëvizje, duke shtuar se kongresi vjen si rezultat i konsolidimit të degëve dhe nëndegëve, si dhe nevojës për zgjedhjen e organeve drejtuese të partisë. Kongresi pritet të miratojë edhe ndryshime të rëndësishme në statutin e partisë, me të cilat do të kufizohet edhe mandati i kryetarit të ardhshëm, thotë Murseli.
“Nesër pritet që t’i jepet legjitimitet këtij kongresi nga delegatët e kongresit dhe gjithashtu pritet që të zgjidhet garniturë udhëheqëse e partisë. Mendojmë se do të përcillet fryma demokratike në PDSH, mendojmë se do t’i jepet secilit anëtarë të kësaj partie mënyra për t’u shprehur lirisht dhe mendojmë se do të ketë ndryshime sa i përket edhe statutit. Unë këtu po e përmend një ndryshim kryesor që është mandat i kryetarit të ardhshëm të partisë, do të kufizohet në maksimum dy mandate”- deklaroi Faton Murseli nga Lëvizja për Reforma në PDSH.
Lëvizja ka për qëllim t’i kthejë dinjitetin anëtarëve të saj dhe instalimin e një demokracie brenda partisë, thotë Murseli.
“Qëllimi i lëvizjes tashmë është i njohur për shkak se nuk përfillet anëtari i thjeshtë i partisë, për shkak se në parti nuk ka frymë demokratike, për shkak se është thyer disa herë statuti i PDSH-së. Tash kemi një lëvizje të anëtarësisë së PDSH-së, të cilët kërkojnë reforma”- tha Murseli.
Gjendjen në Partinë Demokratike Shqiptare Murseli e krahasoi me gjendjen e Partisë për Prosperitet Demokratik dhe kongresin e saj në 12 shkurt të vitit 1994, kur ndodhi ndarja e saj në PPD dhe PPDSh.
Ai beson se lëvizja do t’ia dalë dhe do të arrijë të konsolidojë organet në funksion të anëtarëve të saj.
NAIM RAMADANI
