Izraeli bombardon kampet e refugjatëve, dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur
Ushtria izraelite vazhdoi sulmet e saj....

Ushtria izraelite vazhdoi sulmet e saj edhe në ditën e 62-të ndaj kampeve të refugjatëve Nuseirat dhe Al-Maghazi në pjesën qendrore të Gazës, kampit Jabalia në veri si dhe ndaj qyteteve Khan Jounis dhe në kampin e refugjatëve Al-Shabura në Rafah.
U bombarduan shkolla “Abu Hussein”, si dhe xhamia “Al Hulefa”. Dhjetëra persona janë vrarë nga këto bombardime, viktimat kryesisht janë fëmijë.
Qindra të tjerë janë plagosur dhe ka gjithashtu njerëz nën rrënoja pas sulmeve që ushtria izraelite kreu përgjatë gjithë natës në zona të ndryshme të Rripit të Gazës nën bllokadë.
"Kam parë viktima në rrugë me këmbë ose kokë të copëtuara dhe askush nuk mund t'i arrijë t’ju ndihmojë.", - u shpreh një banor i Gazës.
Sipas përfaqësuesve të OKB-së, Izraeli pengon ndihmat humanitare.
"Ka pretendime se OKB-ja nuk po bën mjaftueshëm, por i takon Qeverisë së Izraelit të na lejojë të bëjmë mjaftueshëm. Dhe tani, kushtet brenda Gazës nuk po na lejojnë të bëjmë punën tonë dhe të ofrojmë ndihmë humanitare. Unë mendoj se bota nuk po bën mjaftueshëm për t'i dhënë fund kësaj.”, - deklaroi zëvendëskoordinatorja speciale e OKB-së, Lin Hastings.
Për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu është me rëndësi dërgimi i ndihmave për pengjet izraelite në Gaza dhe për të arritur këtë lobon me Kryqin e Kuq dhe Katarin.
“Ne po bëjmë presion që të lejojmë vizitat e Kryqit të Kuq me pengjet tona dhe pas kësaj e diskutova edhe njëherë këtë me presidentin e Kryqit të Kuq dhe i thashë që t'i afrohej Katarit, i cili ka dëshmuar se ka ndikim mbi Hamasin dhe të kërkojë vizita të Kryqit të Kuq me pengjet tona, si dhe furnizimin me ilaçe për ta.", - theksoi kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.
Blinken: Humbjet e jetëve janë zëmërthyese
Sekretari i Shtetit të ShBA-së, Antoni Blinken, lidhur me humbjet civile në sulmet e Izraelit ndaj Rripit të Gazës tha se "Për të gjithë ne janë zemërthyere.". Palestinezët kërkojnë armëpushim të menjëhershëm.
"Po, për të gjithë ne janë zemërthyese. Izraelitëve u theksova se ajo që ka ndodhur në veri të Gazës në aspektin e humbjeve civile nuk duhet të përsëritet në jug. Potencova nevojën se duhet të sigurohet dërgimi i ndihmës humanitare si ushqime, ujë dhe strehim për ata që kanë nevojë dhe janë të pashpresë.", - u shpreh sekretari i shtetit amerikan, Antoni Blinken.
"Kjo luftë duhet të ndalet, duhet të bëhet një armëpushim dhe duhet të ndodhë menjëherë. Nuk mund të ecim më tej pa marrë përgjegjësinë e Këshillit të Sigurimit dhe të veprojë ose të reagojë ndaj një projekt-rezolute që bën thirrje për një armëpushim.", - theksoi ambasadori i Palestinës në OKB, Rijad Mansour.
Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite po i afrohet 17 mijëshit. Ndërkohë nga pala izraelite jetën e kanë humbur rreth 1,500 persona. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
