Maqedoni
Dezinformatat, rrezik për marrëdhëniet ndër-etnike
09.12.2023 14:30
Edhe në rast të tragjedive dhe vrasjeve makabre, dezinformatat nuk mungojnë....

Edhe në rast të tragjedive dhe vrasjeve makabre, dezinformatat nuk mungojnë. Shpërndarja e lajmeve të rreme dhe spekulimeve në lidhje me rastin tragjik të Vanja Gjorgjevskas janë tregues më i madh i rrezikut që gjendet shoqëria nga mediat jo të përgjegjshme. Lidhur me këtë rast fillimisht “Kurir” shpërndau dezinformacionin se vajza është gjetur në një shtet fqinj duke aluduar për Kosovën.
Por dezinformatat nuk u ndalën me kaq. Edhe pas arrestimit të autorëve, u shpërndan dezinformata nga kryetari i Konceptit Maqedonas, Petar Bogojevski, se të dyshuarit e vërtetë të rastit janë lëshuar nga stacioni policor dhe kanë shkuar në Kosovë. Kjo detyroi edhe Prokurorinë që qartazi në njoftimin e saj të potencon se të gjithë të përfshirët në këtë rast janë të përkatsisë etnike maqedonase.
“Me të vërtetë mund të ndikojë edhe në prishjen e marrëdhëniet ndëretnike në qoftë se shkohet në drejtim që të shpeshtohen narativet e tilla dhe qytetarët të sillen në bazë të asaj se çfarë kanë pranuar si informacion. Për fat të mirë ne pamë edhe shembuj ku u bë përpjekje që ajo të zbulohet dhe tregohet nga vet institucionet, për shkak se ka edhe ndërgjegjësim se çfarë mund të sjell ajo pastaj.”, tha Marina Tuneva, eksperte për mediume.
Rol kyç në luftën kundër dezinformatave duhet të luajnë vet mediat, por edhe institucionet duke demantuar lajmet e pavërteta.
“Kur tifozët brohorisin parulla anti-shqiptare apo anti-maqedonase dhe mediat në vend që ti dënojnë ato u japin hapësirë dhe fatkeqsisht ato nuk kanë kontribuar në shtensionimin e marrëdhënieve ndër-etnike. Mediat kanë një rol për informim, por kanë edhe përgjegjësi shoqërore, kanë edhe përgjegjësi për atë se çfarë është shoqëria si do të duhet të duket ajo në të ardhmen ddhe në njëfarë mënyre të kemi një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike.”, tha Sefer Tahiri, profesor universitar.
Në bazë të disa hulumtimeve bëhet e ditur se zakonisht dezinformatat në aspekt etnik bëhen më të vrullshme gjatë periudhave para-zgjedhore dhe sensitive për vendin.
“Kur flasim për dezinformatat duhet të kemi parasysh se nuk janë informata të rrejshme apo të pavërteta që bëhen aty për aty, domethënë nuk janë informata ad hoc. Gjatë gjithë kohës ne mund të vërejmë se kemi mjaftë dezinformata, mirëpo kur shteti ballafaqohet me çështje sensitive dhe kur afrohen zgjedhjet këto fushata dezinformuese intensifikohen më tepër.”, tha Edlira Palloshi Disha, eksperte.
Shumica e dezinformatave shpërndahen nëpër rrjete sociale, e shqetësues është fakti se kohës së fundit pikërisht këto media janë më me ndikim në opinion.
Sipas një hulumtimi të fundit të Eurothink mbi 50% e qytetarëve, apo më saktë 56.5% e qytetarëve lainformohen përmes internetit, kurse pjesa më e madhe e qytetarëve apo 90.3% si burim të informacionit i kanë rrjetet sociale. (Ersan Pajaziti, TVM2)
Ky produkt mediatik është prodhim i TVM2 në bashkëpunim me Institutin për Studime të Komunikimit, në kuadër të projektit “Përdor faktet”, i cili mbështetet nga Ambasada Britanike në Shkup.
