Maqedoni

Edukimi mediatik, nevojë për gjeneratat e reja

10.12.2023 14:41

Në kohën e botës dixhitale, gjeneratat e reja janë ndër më të prekurit nga dezinformimi dhe shtrembrimet e lajmeve që mund t’i hasin shpesh në media....

“Ka pasur faqe apo llogari të veçanta në TikTok për çiftet në Zef Lush, për shembull kanë pasur tinejxher apo adoleshent që ndoshta kanë dalur bashkë dhe në Tik Tok i kanë nxjerur me plotë ofendime duke i bashkuar ato dhe duke bërë hajgare me ato.”, tha një nxënës.
 
“Kam pasur një rast në familje ku është përdorur,emri dhe mbiemri i personazhit dhe fotoja personale e tij që është shkruajtur gjithashtu një shkrim që përdor lëndë narkotike dhe është shpërndarë nëpër rrjetet sociale të familjarëve të mi, ku ne e kemi pësuar shumë me stress këtë, me ndjenja emocionale.”, u shpreh një nxënëse.
 
Këto janë rrëfime ku pasqyrohet rreziku konkret që dezinformatat dhe shtrembërimet tjera mund të sjellin për brezat e rinj. Në kohën e botës dixhitale, gjeneratat e reja janë ndër më të prekurit nga shtrembrimet e mediave. 
 
Edukimi mediatik s'është më një privilegj, por një detyrim për mbrojtjen e rinisë nga dezinformimi, për ti ndihmuar ata të zhvillojnë kritikën ndaj burimeve të informacionitdhe të ndërgjegjësohen për përdorimin e teknologjisë me përgjegjësi.
 
Nxënësit që janë të trajnuar mediatikisht thonë se ekziston dallim i madh në qasjen që ato kanë tani në marrjen e burimeve të informacionit.
 
“Është shumë e vështirë kur personi edhe nuk është i informuar për trajnimet mediatike, është shumë e vështirë se nuk mundesh edhe me e bind se ky lajm është i rremë, domethënë insiston dhe e çon në atë të veten, si e themi dhe ne populli, për atë është keq dhe prandaj mendoj se duhet të organizohen ligjerata dhe të informohen të paktën rinia.”, tha Lina Zeqiri, nxënëse.
 
“Para se ti ndiqja trajnimet besoja në çdo gjë që shihja, por pasi që morra pjesë në trajnime e kuptova që nuk duhet të besojë në çdo gjë që shoh dhe në çdo gjë që lexoj.”, tha Ajla Memedi, nxënëse. 
 
Pedagogët të shqetësuar për shpërdorimet e medias, dërgojnë një thirrje të fortë për ndryshime në sistemin arsimor.
 
“Mund të jetë edhe si opcion, në secilën lëndë ti shtohen në mënyrë obligative edhe çështja e arsimimit mediatik, ngase secili mësimdhënës, secili profesor, në lëndën e vet mendoj se mund të jetë viktimë e një situate të pakëndshme, të palakmuseshme që sjell e gjithë kjo. Pse të mos fliten pesë minuta apo pse të mos ketë një temë, ndoshta ndër të parat të atij planprogrami të asaj lënde të zhvillohen mbi arsimimin mediatik, duke u obliguar që të gjithë që janë në atë proces edukativo-arsimor ti përkushtohen një rregullore të re të asaj që kërkon digjitaliteti.”, tha Naser Miftari, mësimdhënës.
 
Me reformat në arsimimin fillor, edukimi mediatik i kushtohet një rëndësi e veçantë në të gjithë programet mësimore thotë ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri. 
 
“Fëmijët nga klasa e tretë e në vazhdimësi kanë tema dhe trajtme të ndryshem në lëndët obligative dhe lëndët zgjedhore sa i takon edhe edukimit mediatik. Në të njejtën kohë bashkërisht me USAID jemi duke zhvilluar projekt të rëndësishëm për diskutim të kësaj problematike, ku trajtohen tema të rëndësishme duke përfshirë edhe mësimdhënësit, duke përfshirë edhe fëmijët se si duhet vlerësuan lajmin dhe rëndësinë dhe peshën që duhet ta ketë një lajm.”, tha ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri. 
 
Ekspertët rekomandojnë që edukimi mediatik përveç në arsimin fillor të përfhsihet edhe në atë të mesëm dhe të lartë. (Ersan Pajaziti, TVM2) 
 
(Ky produkt mediatik është prodhim i TVM2 në bashkëpunim me Institutin për Studime të Komunikimit, në kuadër të projektit “Përdor faktet”, i cili mbështetet nga Ambasada Britanike në Shkup.)