Botë
LSDM: Mitreski propozohet të zë vendin e Xhaferit
10.12.2023 21:41
LSDM vendosi që Jovan Mitreski të drejtojë parlamentin me zhvendosjen e Talat Xhaferit...

LSDM vendosi që Jovan Mitreski të drejtojë parlamentin me zhvendosjen e Talat Xhaferit në krye të ekzekutivit 100 ditë para zgjedhjeve të 8 majit, që nënkupton nga fundi i janarit. Një muaj më vonë, në fund të shkurtit, Mitreski do të shpall zgjedhjet parlamentare që do të përputhen me raundin e dytë të presidencialeve.
“Mitreski është deputet shum vjeçar i LSDM-së, me përvojë të madhe, vlera, i ndershëm dhe i përkushtuar me interesin e qytetarëve dhe shtetit, i dëshmuar në angazhimin e tij të deritanishëm në kuvend. Jemi të sigurt se Mitreski do ta kryej funksionin në nivel të lartë dhe në interes të qytetarëve.”, tha Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.
Bordi ekzektiv ka angazhuar sekretarin e përgjithshëm të partisë për përgatitjen e kornizës për procedurë, mënyrën dhe kritere për përzgjedhjen e kandidatit për president. Shef i shtabit qëndror të LSDM-së, u propozua sekretari i përgjithshëm i partisë Mile Zeçeviq. Konkluzat do të verifikohen nga komiteti qëndror i partisë që do të mbahet kah fundi i këtij muaji.
Presidencialet, Kovaçevski: Kandidati nga rradhët e LSDM-së
Kryeministri Dimitar Kovaçevski paraprakisht theksoi se s’do mbështesin ambiciet e BDI-së për presidentin shqiptar, pas paralajmërimeve të zëdhënësit të BDI-së Bujar Osmani se synimi i tyre i rradhës është drejtimi me presidencën.
“Të gjitha partitë politike kanë ambiciet e tyre, megjithatë kandidati për president do të jetë nga rradhët e LSDM-së, siç ishte në zgjedhjet e kaluara dhe do ta ketë mbështetjen e gjerë nga partitë politike dhe organizatat qytetare, individë dhe ky do të jetë presidenti i shtetit edhe në mandatin e ardhshëm.”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Në takimin e bordit ekzekutiv të LSDM-së nuk u fol për koalicionimet eventuale me parti tjera.
Qeveria teknike, Kovaçevski: Obligim i të gjitha partive politike
Sa i përket bojkotit eventual të VMRO-DPMNE-së për pjesëmarje në qeverinë teknike, Kovaçevski tha se është obligim ligjor i çdo partie që të jetë pjesë e ekzekutivit 100 ditor.
“Ne patëm një takim të suksesshëm të liderëve dhe data e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare u ra dakord me konsensus të gjerë. Është mbështetur nga një marrëveshje e gjerë se do të ketë qeveri teknike”, tha Kovaçevski.
MERAL ISMAILI
