Maqedoni
“Hajde” mbledh nënshkrime kundër Ligjit për Honorarët
23.03.2015 15:08
Platforma për Politikë Qytetare “Hajde”, prej sot deri më 6 prill do të mbledh nënshkrime nga qytetarët për kontestimin e kushtetutshmërisë

Platforma për Politikë Qytetare “Hajde”, prej sot deri më 6 prill do të mbledh nënshkrime nga qytetarët për kontestimin e kushtetutshmërisë së pakos së ligjeve me të cilat honoraristët obligohen për pagesën e kontributeve për sigurim shëndetësor, pensional dhe invalidor. Ata vlerësojnë se me këtë cenohen të drejtat e tyre dhe diskriminohen duke paguar vetë kontributet personale.
“Kjo iniciativë do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për ta kundërshtuar Ligjin e ri për Honorarët. Honoraristët nuk kanë të drejtë për pushim vjetor, nuk u takon pushim i lindjes dhe nuk kanë të drejtë të bashkohen në shoqatat sindikaliste. Honoraristët tanimë obligohen në rregulla të reja, që as vetë Fondi Pensional nuk i di se si t’i interpretojë dhe t’i zbatojë”- deklaroi Nada Naumovska nga Platforma për Politikë Qytetare “Hajde”.
“Unë për muajin janar nuk kam marrë honorarë, jam në pritje edhe për muajin shkurt, me këtë rrezikoj të humb të drejtën e sigurimit shëndetësor dhe të mos përfitoj asgjë, ose thënë ndryshe nuk e di nëse e paraqes honorarin e muajit shkurt për sa kohë do të më vlejë sigurimi”- tha honoraristja, Kate Hristovska.
Qeveria e Maqedonisë para Vitit të Ri miratoi Ligjin e ri për Honoraristët, me të cilin obligohen të gjithë ata të cilët punojnë me honorarë të paguajnë vetë kontributet shëndetësore dhe pensionale.
REXHEP QAMILI
