Zelenski në SHBA, diskutohen ndihma ushtarake për Ukrainën

11.12.2023 12:48

Presidenti Xho Biden do të presë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky....

Presidenti Xho  Biden do të presë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë të martën, ndërsa diskutimet mbi një marrëveshje për të dërguar të tjera ndihma ushtarake për Ukrainën ende mbeten të bllokuara në Kongres.

Republikanët në Kongres kanë kushtëzuar mbështetjen e kësaj ndihme me reformat gjithëpërfshirëse të emigracionit dhe azilit në SHBA.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar ligjvënësit se fondet amerikane për Ukrainën mund të mbarojnë së shpejti dhe se SHBA  mund të detyrohet të përfshihet direkt në luftë me Rusinë.

Paketa e ndihmës prej 106 miliardë dollarësh nga administrata përfshin rreth 60 miliardë Dollarë ndihmë për mbrojtjen e Ukrainës, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet për Izraelin, sigurinë në Tajvan.

Presidenti ukrainas do të lobojë personalisht në Kongres dhe Dhoma e Përfaqesuesve gjatë vizitës së tij në Amerikë për t’i bindur ligjvënësit për ndihmën emergjente që vendi i tij pret në luftën ndaj pushtuesit rus.

Udhëheqësit do të diskutojnë edhe nevojat urgjente për mbrojtjen edhe për vitin e ardhshëm, duke përfshirë projektet e përbashkëta për prodhimin e armëve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Zelensky udhëtoi për në SHBA nga Argjentina ku mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri Argjentinas.

Ndërkaq në fushën e betejës sulmet nga Rusia vijojnë. Ukraina rrëzoi raketa, ndërsa forcat ruse nisën një sulm në Kiev, ku të paktën katër persona mbetën të plagosur. Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës shkatërruan tetë raketa balistike të lëshuara nga Rusia.

Në gati 22 muaj luftë, sulmet e shumta të Rusisë ndaj Ukrainës kanë përdorur kryesisht drone sulmuese Shahed të prodhuar nga Irani nga toka, ajri ose deti.