Maqedoni
Lëvizja “Besa”: të formohet qeveri ekspertësh
23.03.2015 15:25
Lëvizja “Besa” propozon platformë politike të quajtur “Ridefinimi’, e cila përfshin edhe formimin e një qeverie ekspertësh që do të nxirrte vendin nga situata aktuale politike...

Koordinatori i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, thotë se në krijimin e kësaj qeverie do të duhej të kontribuonin edhe ambasadorët e akredituar në Shkup: të SHBA-ve, BE-së, Shqipërisë e Kosovës, përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, si dhe Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve.
Vëzhgues dhe lehtësues të këtij procesi propozohet gjithashtu përfshirja e USHT-së dhe Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.
“Në rolin e propozuesve dhe vendimmarrësve të jenë liderët e partive më të mëdha në vend, të cilët përmes dialogut dhe konsensusit do të propozojnë një mandatar eksperti, i cili për një afat të caktuat do të formojë një kabinet qeveritar po ashtu me ekspertë. Pas miratimit të atij kabineti, që do të jetë me mandate një deri në dyvjeçar, ajo qeveri do të krijojë parakushte për kthimin e besimit dhe përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme”- deklaroi koordinatori i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Detyrat tjera të qeverisë së ekspertëve, sipas Lëvizjes “Besa”, do të ishin edhe regjistrimi i popullsisë, pastrimi i listave zgjedhore, zbardhja e përgjimeve dhe e rastit “Puç”.
“Regjistrimi i popullsisë me mbikëqyrje ndërkombëtare, ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje, pastrimi i listës zgjedhore dhe organizimi i zgjedhjeve të ardhshme me monitorim të fuqishëm ndërkombëtar, themelimi i Prokurorisë Speciale të pavarur, me prokurorë eminentë ndërkombëtarë dhe të vendit, me pjesëmarrje të barabartë të maqedonasve dhe shqiptarëve për hetimin e hipotekave të deritanishme në bazë materialeve të LSDM-së, të Maqedonisë dhe akuzave të VMRO-DPMNE-së për “Puç”- tha Kasami.
Përbërja e re parlamentare që do të dilte pas zgjedhjeve, sipas kreut të Lëvizjes “Besa” do të duhet të mandatojë një qeveri e cila do të vendoste shtetin mbi parimet e konsensusit maqedonaso-shqiptarë për barabarësi, të zgjidh çështjen e emrit me një emër që do të reflektojë karakterin shumetnik të shtetit dhe të angazhohet për integrimin e vendit në NATO dhe BE.
Për realizimin e platformës “Ridefinimi”, Lëvizja “BESA” kërkon mbështetjen e të gjitha subjekteve politike dhe joqeveritare shqiptare, në përjashtim të dy partive më të mëdha politike shqiptare.
MERAL ISMAILI
