Maqedoni

Procesi i digjitalizimit në arsim, MASh: Digjitalizohen 40 shkolla

11.12.2023 13:55

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka filluar me procesin e digjitalizimit nëpër shkolla....

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka filluar me procesin e digjitalizimit nëpër shkolla. Si një nga fokuset kryesore të reformës së sistemit arsimor kombëtar në etapën e parë janë paraparë 40 shkolla të furnizohen me pajisje të Teknologjisë Informatike dhe ky projekt pritet të mbarojë në muajin mars të vitit 2024. Shermine Mahmuti nga MASh-i theksoi se rendësi të madhe ka se ata do të mbrohen nga përmbajtjet e papërshtatshme që do të kufizohen nga sistemi qendror i instaluar në kuadër të MASh-it dhe nxënësit do te kenë qasje vetëm në përmbajtje edukative.
 
“MASh-i paralelisht po bën pajisjen e shkollave fillore. Kemi filluar me 40 shkolla, ku MASh-i ka përgatitur projektin, financiarisht ka përkrahur BB. Nga fundi është internet qasja, në hapësirat e shkollës do ketë uifi, gjithashtu janë vendosur edhe pajisje mbrojtëse për nxënësit. Ndërsa nga muaji shkurt ose mars do të pajisen kabinetet me TI dhe shkollat me smart tabela për këto 40 shkolla. Paralelisht jemi duke punuar edhe për grupin e dytë me 40 shkolla që do të vijojë i njëjti proces.”, - deklaroi Shermin Mahmuti nga MASh-i.
 
Mësimdhënësit: Na lehtëson punën
 
Pjesë e këtij projekti është edhe shkolla fillore “Liria” ku mësimdhënësja Sylejmane Kurtishi thotë se digjitalizimi do të jetë një lehtësim për ato.
 
“Më në fund pajisen hapësirat tona shkollore me rrjet uifi dhe do të na ndihmojë në shumë mënyra. Do të kemi mundësi digjitalizimin e mësimit, metodat e rafinimit të metodave të vjetra në ato të reja bashkëkohore. Mendoj që do të ketë hapësirë që nxënësit të kenë qasje direkte me ushtrime dhe aplikacione që duhet të mësohen  nga tekstet shkollore. Kjo do të jetë risi për nxënësit t’i motivojnë që t’i provojnë gjërat e reja.”, - theksoi mësimdhënësja, Sylejmane Kurtishi. 
 
Rikujtojmë se krahas pajisjeve informatike për shkollat fillore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka pajisur edhe kabinetet për lëndët nga grupi i shkencave shoqërore, si historia dhe gjeografia me mjete të reja mësimore dhe ndihmëse, ndërsa krejtësisht janë pajisur edhe kabinetet e shkencave natyrore në të gjitha shkollat fillore. 
 
Nga Ministria e Arsimit informojnë se në këto 40 shkolla, tekstet shkollore të klasës së 4, 5 dhe 6 nga ky muaj do të jenë edhe në mënyrë elektronike.
 
“Tekstet shkollore të klasës së 4, 5 dhe 6, që nga dhjetori do t‘i kemi edhe në elektronike, do t’i kenë librat elektronikë, saktë si i kanë librat në duart e tyre, si nxënësit, ashtu edhe mësimdhënësit. Në fund të përmbajtjes do të keni kuize  për ta testuar veten sa e kanë kuptuar mësimin që e kanë mësuar.”, - u shpreh Shermine Mahmuti nga MASh-i.
 
Investimi në arsim është  investim për të ardhmen. Kuadri i arsimuar dhe i kualifikuar mund të kontribuojë në zhvillimin e shoqërisë dhe mjedisit ku jetojmë. Çdo investim në procesin arsimor i kthehet shtetit dyfish.
 
REJHANE METAJ