Maqedoni

Kongresi tematik, BDI do të promovojë mundësi të barabarta

23.03.2015 15:34

BDI, në kongresin tematik do të promovojë model për zhvillim të përshpejtuar ekonomik dhe mundësi të barabarta për të gjithë...

Kështu paralajmëroi kryetari i Sekretariatit për Çështje Ekonomike dhe Financa pranë kësaj partie, Fatmir Besimi. Ai tha se në kuadër të kongresit do të shqyrtohen materiale dhe dokumente strategjike me rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit.
 
“U shqyrtuan materialet e përgatitura deri më tani, duke u bazuar në programin e BDI-së, i miratuar në kongresin e tretë, gjithashtu materialet tjera strategjike Evropa 20-20, EJL-20-20, si dhe dokumente tjera me rëndësi për Maqedoninë dhe rajonin, nga institucionet e vendit dhe ndërkombëtare. Gjithashtu ne sot diskutuam edhe shqyrtuam materialet dhe sugjerimet që vijnë nga organet partiake, siç janë degët e BDI-së si dhe komunat që drejtohen nga kryetarët nga radhët e BDI-së, me qëllim që të kemi një proces sa më gjithëpërfshirës”- deklaroi kryetari i Sekretariatit për Çështje Ekonomike dhe Financa-BDI, Fatmir Besimi.
 
Organet partiake kanë dalë edhe me kërkesa konkrete të cilat nuk kanë qenë pjesë e programit 2014-2018.
 
“Një ndër kërkesat është shqyrtimi për hapjen e zonës ekonomike në Komunën e Likovës. Unë, bashkërisht me Drejtorinë për Zona Ekonomike, kemi filluar hapat e para dhe të bëjmë analiza. Ajo nuk është e inkorporuar në programin e BDI-së 2014-2018, mirëpo në bashkëpunim, në qeveri mundohemi ta shtyjmë edhe këtë si projekt”- tha anëtari i Sekretariatit për Çështje Ekonomike dhe Financa-BDI, Bekim Neziri.
 
Gjatë panelit ekonomik, i cili do të zhvillohet në kudër të kongresit tematik, Besimi tha se eksperienca dhe ide do të shkëmbejnë edhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, ndërsa fjalim ka paralajmëruar edhe ish-drejtori i paktit të Stabilitetit në Evropën Juglindore, Erhard Busek. 
 
NAIM RAMADANI